KreuBusull

Festimet pas fitores mund t’i kushtojnë shtrenjtë Argjentinës, FIFA hap hetim

Festimet pas fitores mund t’i kushtojnë shtrenjtë
Banderola me mesazh politik pas fitores ndaj Anglisë mund t’i kushtojë shtrenjtë Argjentinës, e cila rrezikon të përballet me masa disiplinore nga FIFA.

Kombëtarja argjentinase siguroi kualifikimin në finalen e Kupës së Botës pas fitores 2-1 ndaj Anglisë në Atlanta, falë golit me kokë të Lautaro Martinez në minutën e 93-të. Në finalen e madhe, Argjentina do të përballet me Spanjën.

Megjithatë, festimet pas ndeshjes kanë hapur polemika. Futbollistët argjentinas shfaqën një banderolë me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas” (“Ishujt Falkland janë argjentinas”), një slogan që lidhet me mosmarrëveshjen territoriale mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas rregullave të FIFA-s, shfaqja e mesazheve me përmbajtje politike në fushën e lojës është e ndaluar dhe mund të përbëjë shkelje të Nenit 34.3 të kodit disiplinor.

Siç raporton The Athletic, Argjentina është përballur edhe më parë me ndëshkime për të njëjtin slogan, pasi u gjobit në vitin 2014. Media sjell në vëmendje edhe rastin e futbollistëve spanjollë Rodri dhe Álvaro Morata, të cilët u pezulluan nga UEFA për thirrje me përmbajtje politike pas Euro 2024.

Tensionet rreth kësaj çështjeje ishin shtuar edhe para ndeshjes, pasi zëvendëspresidentja e Argjentinës, Victoria Villarruel, i kishte cilësuar anglezët në rrjetet sociale si “piratë uzurpues”.

Ndërkohë, sekretari britanik për Biznesin, Peter Kyle, reagoi pas ndeshjes duke dënuar publikisht shfaqjen e banderolës, të cilën e quajti “krejtësisht të papërshtatshme”.