KreuBusull

Tronditet bota e futbollit, gjendet pa jetë gjyqtari që FIFA e përjashtoi nga Botërori

Tronditet bota e futbollit, gjendet pa jetë gjyqtari që FIFA e
Futbolli holandez është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të gjyqtarit Rob Dieperink. Federata Holandeze e Futbollit konfirmoi se arbitri 37-vjeçar është gjetur pa jetë, ndërsa rrethanat e ngjarjes vijojnë të mbeten të paqarta.

Sipas autoriteteve, policia ka kryer hetimet përkatëse dhe ka bërë të ditur se nuk ka prova për përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje. Për respekt ndaj familjes së gjyqtarit, detaje të tjera nuk janë bërë publike.

Dieperink ishte një figurë e njohur në gjykimin ndërkombëtar. Ai kishte marrë pjesë në shumë ndeshje të rëndësishme dhe gjatë Euro 2024 ishte pjesë e skuadrës së arbitrave të VAR-it, ku ndër të tjera kontribuoi edhe në sfidën Itali-Shqipëri.

Vetëm pak ditë para ndarjes nga jeta, ai kishte qenë në detyrë, duke drejtuar një ndeshje miqësore mes Go Ahead Eagles dhe Apollon FC.

Emri i tij ishte përfshirë fillimisht në listën e arbitrave të përzgjedhur nga FIFA për Kupën e Botës 2026. Megjithatë, organizmi ndërkombëtar vendosi më pas ta largonte nga lista pas një incidenti në Londër, pas ndeshjes së Ligës së Konferencës mes Crystal Palace dhe Fiorentinës.

Dieperink u arrestua në prill pas akuzave për një incident në një hotel, por më vonë u la i lirë dhe çështja u mbyll për shkak të mungesës së provave. Pavarësisht kësaj, FIFA vendosi të mos e përfshinte më në grupin e arbitrave për Botërorin.

Vdekja e tij ka shkaktuar trishtim në komunitetin e futbollit holandez, ndërsa shumë figura të këtij sporti kanë shprehur ngushëllimet për familjen e tij.