KreuBusull

Koncerti i Kanye West në Tiranë, Policia publikon planin e qarkullimit: Ja cilat rrugë do të kenë kufizime

Koncerti i Kanye West në Tiranë, Policia publikon planin e
Policia e Tiranës ka bërë publik planin e masave për mbarëvajtjen e koncertit të artistit amerikan Kanye West (Ye), i cili do të mbahet më 11 korrik 2026 në zonën e Kasharit. Për shkak të numrit të lartë të pjesëmarrësve që pritet të ndjekin aktivitetin, autoritetet kanë parashikuar kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore.

Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 07:00 deri në 24:00, do të kufizohet lëvizja në aksin dytësor të autostradës Tiranë–Durrës, në segmentin nga Eiffeli deri te Casa Italia, i cili do të jetë i aksesueshëm vetëm në drejtimin e daljes për subjektet që operojnë në zonë. Në të njëjtin interval kohor do të mbyllet edhe korsia e daljes së autostradës në rrethrrotullimin e Casa Italia.

Ndërkohë, nga ora 12:00 deri në 24:00, nuk do të lejohet qarkullimi në itinerarin Casa Italia – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”. Kufizime do të ketë edhe në segmentin rruga “Sokrat Miho” – rruga “Kasem Shima” – rruga “7 Nëntori”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.

Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu se, në varësi të fluksit të pjesëmarrësve, mund të ketë bllokime të përkohshme edhe në aksin nga Ura e Institutit deri te Casa Italia, për të garantuar menaxhimin e trafikut dhe sigurinë gjatë zhvillimit të koncertit.

Gjatë orareve të kufizimeve, hyrja në zonat e bllokuara do të lejohet vetëm për automjetet e emergjencës dhe ato të Policisë së Shtetit.

Policia u bën thirrje qytetarëve të planifikojnë paraprakisht lëvizjet e tyre, të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e efektivëve të angazhuar në terren.