Pas publikimit të videos tronditëse ku dy vajza dhunojnë në mënyrë barbare një bashkëmoshataren e tyre në Fier, autoritetet kanë nisur procedimin ndaj vajzave të përfshira në ngjarje dhe kanë ndërmarrë veprime ligjore për zbardhjen e plotë të rastit.
Sipas informacioneve të bëra publike nga policia, dy 15-vjeçare dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 17-vjeçares, ndërsa ngjarja është regjistruar brenda banesës së një 19-vjeçareje, e cila ndodhej në ambient në momentin e konfliktit.
Pas kallëzimit të bërë nga vajza e dhunuar, më 8 qershor, policia ka nisur hetimet për të tria personat e përfshirë. Gjatë deklarimeve në polici, vajzat kanë pranuar se e kanë goditur të miturën, ndërsa motivi i konfliktit dyshohet të ketë qenë një çështje personale.

Një prej 15-vjeçareve të përfshira është arrestuar më pas, pas një kallëzimi të bërë nga nëna e saj, e cila ka deklaruar se ishte dhunuar nga e bija. E mitura është dërguar për trajtim në strukturat psikiatrike në Tiranë.
Ndërkohë, sipas autoriteteve, vajzat e përfshira në këtë ngjarje po marrin trajtim dhe po vlerësohen nga institucionet përkatëse.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, pasi pamjet e dhunës mes adoleshenteve ngritën shqetësime për përhapjen e agresivitetit tek të miturit dhe nevojën për ndërhyrje më të hershme nga familja, shkolla dhe institucionet.
Ngjarja në Fier ka rikthyer edhe një herë debatin mbi edukimin, kontrollin prindëror dhe mbështetjen psikologjike për të rinjtë, me qëllim parandalimin e rasteve të ngjashme.
