
Federata Egjiptiane e Futbollit nuk e ka pranuar me qetësi humbjen 3-2 ndaj Argjentinës dhe ka depozituar një ankesë zyrtare në FIFA, duke kundërshtuar vendimet e arbitrit François Letexier gjatë ndeshjes.
Presidenti i federatës, Hany Abo Rida, i cilësoi vendimet arbitrale si të papranueshme, duke akuzuar gjyqtarin për trajtim të pabarabartë të situatave të ngjashme në fushë. Sipas tij, disa episode kyçe ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin e takimit.
Në qendër të ankesës janë anulimi i golit të Zikos për një faull ndaj Lisandro Martínez, si edhe mosakordimi i një faulli të ngjashëm ndaj Mohamed Salahut. Federata egjiptiane pretendon se këto vendime tregojnë mungesë konsistence në gjykim.
Pakënaqësia e Egjiptit është reflektuar edhe në reagimin zyrtar të publikuar nga federata, ku janë renditur dhe analizuar të gjitha momentet që, sipas saj, janë gjykuar gabim. Tashmë mbetet të shihet nëse FIFA do të marrë në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga pala egjiptiane.
