Ledri Vula dhe Era Istrefi duket se janë gati të rikthehen sërish si dyshe në muzikë. Burime ekskluzive për “Bordo” bëjnë me dije se dy artistët kanë përgatitur një bashkëpunim të ri, i cili pritet të publikohet së shpejti.
Sipas të njëjtave burime, xhirimet e videoklipit janë zhvilluar ditën e mërkurë në Dhërmi, një nga destinacionet më të preferuara të verës në Shqipëri i cili përputhet edhe me ritmet e këngës që pritet të jetë hiti më i ri i verës. Ende nuk dihet titulli i këngës apo data zyrtare e publikimit, por projekti pritet të sjellë një atmosferë tipike verore.
Ky nuk është bashkëpunimi i parë mes Ledrit dhe Erës. Përkundrazi, projekti i ri shënon bashkëpunimin e tretë të dyshes, pas dy hiteve “Shumë Pis” dhe “T’LO”, këngë që u pritën mjaft mirë nga publiku dhe u kthyen menjëherë në ndër më të komentuarat e kohës.
Me energjinë që të dy artistët sjellin gjithmonë në projektet e tyre, ky rikthim pritet të jetë një nga publikimet më të forta të sezonit.
