KreuCelebrity

U tha se vdiq nga ataku kardiak, autopsia zbulon shkakun e vërtetë të vdekjes së aktores turke

U tha se vdiq nga ataku kardiak, autopsia zbulon shkakun e vërtetë

Është zbardhur shkaku zyrtar i vdekjes së aktores së njohur turke Ece İrtem, e cila ndërroi jetë papritur më 15 qershor në banesën e saj në Stamboll, në moshën 35-vjeçare.

Sipas raportit përfundimtar të autopsisë, të publikuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Turqi, aktorja ka humbur jetën si pasojë e helmimit nga alkooli, konkretisht nga “intoksikimi me alkool etilik”.

Raporti thekson gjithashtu se në trupin e saj janë gjetur substanca medikamentoze në nivele terapeutike, të cilat sipas ekspertëve mund të rrisin efektin depresiv të alkoolit në sistemin nervor qendror.

Vdekja e saj kishte shkaktuar shumë dyshime dhe aludime në mediat turke dhe rrjetet sociale. Fillimisht u raportua se shkaku mund të kishte qenë një atak kardiak, ndërsa më pas qarkulluan pretendime të pakonfirmuara që lidhnin ndarjen e saj nga jeta me një pickim majmuni gjatë një udhëtimi në Tajlandë, sepsë apo përdorim të antidepresantëve të kombinuar me alkool.

Megjithatë, raportet paraprake të autopsisë kishin përjashtuar mundësinë e dhunës, traumës apo ndërhyrjes së jashtme, ndërsa raporti final ka dhënë tashmë shkakun zyrtar të vdekjes.

Ece İrtem u bë e njohur për publikun e gjerë me rolin e Işıl në serialin shumë të ndjekur turk “Një dashuri”, i njohur ndërkombëtarisht si “Cranberry Sorbet”. Seriali trajton përplasjet mes familjeve me bindje të ndryshme, të bashkuara përmes martesës së fëmijëve të tyre.

E lindur në Sivas në vitin 1991, İrtem kishte studiuar në Departamentin e Operës dhe Kantos në Universitetin Yaşar në Izmir, ndërsa më pas kishte ndjekur edhe studimet për aktrim në Qendrën Kulturore Sadri Alışık në Stamboll.

Karriera e saj televizive nisi në vitin 2014 dhe gjatë viteve ajo mori pjesë në disa produksione të njohura turke, mes tyre “Yeni Gelin”, “Bay Yanlış”, “Mahkum”, “Yasak Elma”, “Sandık Kokusu”, “O Hayat Benim” dhe “Payitaht Abdülhamid”. Ajo gjithashtu kishte luajtur edhe në filma si “Zengo” dhe thrillerin e Netflix “10 Days of a Curious Man”.

Aktorja u përcoll për në banesën e fundit në Kuşadası, në provincën Aydın, në një ceremoni ku morën pjesë familjarë, miq dhe kolegë të saj nga bota e artit.