KreuCelebrity

Agron Llakaj prek me rrëfimin për Kostandinën: Dasma me 40 veta dhe kujtimi që nuk e harron kurrë

Agron Llakaj prek me rrëfimin për Kostandinën: Dasma me 40 veta

Aktori i mirënjohur Agron Llakaj ka ndarë disa nga kujtimet më të veçanta të jetës së tij me bashkëshorten e ndjerë, Kostandinën, gjatë një interviste televizive.

I ftuar në një emision sportiv, në rubrikën “Golat e Jetës”, Llakaj u përball me disa fotografi nga momente të rëndësishme të jetës së tij. Një prej tyre ishte edhe imazhi nga dasma me Kostandinën, të cilin aktori e komentoi me humor dhe nostalgji.

Duke kujtuar atë periudhë, ai tregoi se në atë kohë njerëzit bënin shaka me pamjen e tij të dobët.

“Atëherë i thoshin Kostandinës ‘ku e gjete moj?’, se isha i tharë”, u shpreh Llakaj.

Aktori zbuloi se dasma ishte bërë në Memaliaj, jo në një lokal apo sallë të madhe, por në oborrin e shtëpisë. Ai tregoi se ceremonia kishte qenë shumë e thjeshtë, me pak njerëz dhe pa orkestër, por e mbushur me atmosferë familjare.

“Aty te bahçja e shtëpisë. 40 veta, pa orkestër, këndonim vetë”, rrëfeu ai.

Pavarësisht dhimbjes që ka lënë pas humbja e Kostandinës, Agroni theksoi se zgjedh të ruajë fort kujtimet e bukura të jetës së tyre së bashku.

“Në çdo kohë unë mund të flas shumë herë për dhimbjen, por mbaj mend shumë gjëra të bukura”, tha aktori, duke iu referuar momenteve të ndërtuara gjatë marrëdhënies së tyre.

Mes kujtimeve, Llakaj ndau edhe një histori plot humor nga përditshmëria me bashkëshorten. Ai tregoi se ka qenë gjithmonë tepër korrekt me oraret, ndërsa Kostandina, sipas tij, kishte një raport krejt tjetër me kohën.

“Unë kam lindur gjerman në karakter dhe do të vdes i tillë. Unë me oraret nuk fal, ajo ishte nëna e vonesës”, u shpreh ai.

Aktori kujtoi një rast kur do të niseshin drejt Vlorës për fundjavë. Ai kishte caktuar orarin e nisjes dhe kishte zbritur te makina në kohë, por Kostandina u vonua. Situata e nervozoi, ndërsa ajo e priti me qetësinë dhe humorin që e karakterizonte.

“Shaj, shaj po edhe shplodhu nga pak se u lodhe”, i kishte thënë ajo, duke e kthyer momentin në një kujtim që sot aktori e rrëfen me buzëqeshje.

Por pjesa më e papritur erdhi kur mbërritën në Vlorë. Kostandina i tregoi se kishte harruar çelësin e shtëpisë.

“Kam harruar çelësin e shtëpisë”, i kishte thënë ajo, një detaj që e bëri historinë edhe më të paharrueshme.

Rrëfimi i Agron Llakajt erdhi si një përzierje e bukur mes mallit, humorit dhe dashurisë për një histori jete që ai vazhdon ta kujtojë me shumë ndjeshmëri.