KreuCelebrity

Pitbull shkruan historinë, hyn në Librin Guinness me një rekord të veçantë

Pitbull shkruan historinë, hyn në Librin Guinness me një rekord
Reperi i njohur amerikan Pitbull ka arritur një tjetër sukses të madh në karrierën e tij, duke hyrë zyrtarisht në Librin Guinness të Rekordeve Botërore.

Gjatë koncertit të tij në festivalin “BST Hyde Park” në Londër, 22.141 fansa u shfaqën të veshur me kapele që imitonin kokën tullace të artistit, duke vendosur rekordin botëror për grumbullimin më të madh të njerëzve me “bald caps”.

Rekordi u certifikua të dielën nga përfaqësuesi i Guinness World Records, Will Munford, duke e bërë këtë moment një nga më të veçantët në karrierën e reperit.

Kjo ide ishte promovuar prej muajsh nga Pitbull, emri i vërtetë i të cilit është Armando Christian Pérez. Fansat e tij prej kohësh kanë krijuar një traditë të veçantë duke u paraqitur në koncertet e tij me kokë tullace, syze dielli dhe kostume elegante, një fenomen që është pagëzuar si lëvizja “Bald E”.

Por koncerti në Hyde Park nuk ishte i jashtëzakonshëm vetëm për rekordin. Me 69.999 spektatorë, performanca e Pitbull u bë edhe koncerti me pjesëmarrjen më të madhe në historinë e festivalit “BST Hyde Park”.

Spektakli nisi me hitin “Don’t Stop the Party”, ndërsa gjatë mbrëmjes reperi performoi këngë të njohura si “Hotel Room Service”, “International Love”, “I Feel Good”, “Time of Our Lives” dhe “Give Me Everything”.

Në skenë iu bashkuan edhe dy emra të njohur të muzikës, Lil Jon dhe Kesha. Me Lil Jon ai solli disa prej hiteve të tyre, ndërsa me Kesha performoi këngën e famshme “Timber”.

Në fund të koncertit, Pitbull surprizoi publikun britanik duke interpretuar edhe “Wonderwall” të grupit Oasis, si një dedikim për fansat anglezë. Mbrëmja u mbyll me një spektakël fishekzjarresh mbi Hyde Park.

Ndërkohë, turneu i tij “I’m Back Tour” ka rezultuar një nga më të suksesshmit në karrierën e tij, me mbi 2 milionë bileta të shitura në 27 vende të botës.