KreuCelebrity

Kush është Isabel, partnerja diskrete e Erling Haaland? Nga futbolli te moda dhe studimet për ushqyerjen

Erling Haaland ishte një nga emrat më të spikatur të Kupës së Botës 2026, ndërsa golat dhe videot e tij vazhduan të bëheshin virale edhe pas eliminimit të Norvegjisë. Megjithatë, së fundmi vëmendja është zhvendosur te partnerja e tij, Isabel Haugseng Johansen, e cila prej vitesh ka zgjedhur të qëndrojë larg kamerave dhe jetës së zhurmshme mediatike.

E lindur në vitin 2004 dhe me origjinë kolumbiane, Isabel njihet për profilin e saj të rezervuar. Ndryshe nga shumë partnere të futbollistëve të famshëm, ajo e ka ruajtur me fanatizëm privatësinë, duke u shfaqur rrallë në publik dhe në rrjetet sociale.

Historia e çiftit lidhet me qytetin Bryne, në jugperëndim të Norvegjisë, ku të dy janë rritur. Isabel ka qenë gjithashtu futbolliste dhe ka luajtur për Bryne FK, klubin ku Haaland nisi hapat e parë në karrierë. Pasioni i përbashkët për futbollin dhe njohja që në moshë të re thuhet se kanë krijuar bazat e një lidhjeje të fortë, shumë kohë përpara se sulmuesi të shndërrohej në një yll ndërkombëtar.

Në fund të vitit 2024, çifti u bë prind për herë të parë. Ata kanë preferuar ta mbajnë të fshehtë emrin e fëmijës, por Haaland ka zbuluar herë pas here disa detaje nga jeta e tyre familjare. Në një video të publikuar në YouTube, futbollisti tregoi se mbrëmjet e tyre janë shumë larg luksit që shoqëron zakonisht jetën e personazheve të famshëm. Dyshja kalon kohë duke luajtur “Minecraft”, duke gatuar në shtëpi dhe duke u rikthyer në Bryne sa herë që kanë mundësi.

Isabel ka gjithashtu një rol të rëndësishëm në stilin e jetesës së Haaland. Sulmuesi njihet për regjimin e tij të rreptë ushqimor, i cili përfshin mijëra kalori në ditë dhe produkte të përzgjedhura me kujdes. Kjo e ka shtyrë partneren e tij të interesohet më shumë për ushqyerjen dhe vlerat biologjike të ushqimeve.

Ajo ka treguar se ka nisur të studiojë ushqyerjen, me synimin për të përgatitur vakte të shëndetshme, por njëkohësisht të shijshme dhe tërheqëse në pamje. Në këtë mënyrë, kuzhina e çiftit është kthyer në një hapësirë eksperimentimi me receta të përshtatura për nevojat e futbollistit.

Krahas jetës private dhe interesit për ushqyerjen, Isabel po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje edhe në botën e modës. Gjatë Kupës së Botës, ajo u shfaq në kopertinën e revistës “Elle”, e veshur me ngjyrat e Norvegjisë.

Kush është Isabel, partnerja diskrete e Erling Haaland? Nga futbolli

E kërkuar për realizime fotografike dhe evente të modës së lartë, Isabel mori pjesë vitin e kaluar edhe në një sfilatë ekskluzive në Romë. Në krah të Haaland, ajo u shfaq me një fustan rrjetë të zbukuruar me kristale, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e fotografëve.

Edhe pse po fiton terren në modë, Isabel vazhdon të ruajë të njëjtin profil të qetë dhe diskret. Stili i saj elegant, por pa ekzagjerime, duket se po e kthen në një nga figurat më interesante pranë botës së futbollit.