KreuCelebrity

Vdekja misterioze e Jayden Adams, autoritetet hetojnë disa pista

Vdekja misterioze e Jayden Adams, autoritetet hetojnë disa pista
Futbolli i Afrikës së Jugut është në zi pas ndarjes nga jeta të mesfushorit Jayden Adams, i cili u gjet i pajetë në moshën 25-vjeçare në periferi të Kejptaunit. Rrethanat e vdekjes së tij mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet.

Adams, pjesë e klubit Mamelodi Sundowns dhe i përfshirë me kombëtaren e Afrikës së Jugut në Kupën e Botës, kishte luajtur në tre takime të turneut, duke ndihmuar ekipin të arrinte një sukses historik me kualifikimin nga faza e grupeve.

Pak ditë para sfidës ndaj Republikës Çeke, futbollisti kishte marrë një lajm të rëndë familjar: humbjen e gjyshes së tij 72-vjeçare, me të cilën kishte një lidhje shumë të fortë. Sipas Federatës së Futbollit të Afrikës së Jugut, ai zgjodhi të vazhdonte të luante, pavarësisht dhimbjes së madhe emocionale. Në festimet pas ndeshjes me Korenë e Jugut, Adams u vu re i tërhequr dhe i shkëputur nga atmosfera e skuadrës.

Mediat vendase kanë raportuar versione të ndryshme mbi shkakun e vdekjes. Disa prej tyre flasin për mundësinë e një vetëvrasjeje, duke iu referuar edhe dëshmisë së partneres së tij, e cila ka treguar se pas humbjes së gjyshes, lojtari kishte humbur oreksin dhe po përballej me depresion.

Ndërkohë, burime të tjera hedhin dyshime për një helmim. Sipas këtyre raportimeve, Adams ishte paraqitur në spital me shenja të një intoksikimi ushqimor dhe dyshohet se mund të ketë marrë trajtim të papërshtatshëm. Hetuesit kanë kryer kontrolle të gjata në banesën e futbollistit, ndërsa pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të sqarojë shkakun e vdekjes.

Për ndarjen e tij nga jeta reagoi edhe ministri i Sportit i Afrikës së Jugut, Gayton McKenzie, i cili e cilësoi Adams si një nga talentet më të spikatura të futbollit vendas dhe shprehu ngushëllimet për familjen.

Kjo nuk ishte tragjedia e parë që kishte prekur futbollistin. Në vitin 2023, ai humbi mikun e tij të ngushtë, Oshuin Andries, ish-kapiten i kombëtares U20, i cili ndërroi jetë pasi u godit me thikë gjatë një sulmi. Një ngjarje që, sipas njerëzve pranë tij, e kishte lënë me pasoja të thella emocionale.