KreuCelebrity

“Bromance” që po çmend Botërorin: Bellingham dhe Haaland, miq të pandarë por sot kundër njëri-tjetrit

Miqësia mes Jude Bellingham dhe Erling Haaland është kthyer në një nga historitë më të komentuara të Kupës së Botës. Sonte në mbrëmje, dy yjet do të lënë mënjanë raportin e tyre të veçantë, pasi Anglia dhe Norvegjia do të përballen në çerekfinalen e shumëpritur.

Lidhja mes tyre nisi gjatë periudhës kur luanin së bashku te Borussia Dortmund, nga viti 2020 deri në vitin 2022. Edhe pse sot përfaqësojnë dy prej klubeve më të mëdha në botë, Real Madridin dhe Manchester Cityn, miqësia e krijuar në Gjermani ka vazhduar edhe pas largimit të tyre.

Në rrjetet sociale janë rikthyer pamje të shumta nga koha e Dortmundit, ku Bellingham dhe Haaland shfaqen duke u përqafuar, festuar së bashku apo duke bërë shaka gjatë intervistave. Një prej momenteve më të shpërndara është ai i vitit 2021, kur Haaland e cilësoi Bellinghamin “të jashtëzakonshëm”, ndërsa anglezi u afrua dhe e puthi me shaka në faqe.

Në një tjetër video, sulmuesi norvegjez shihet duke ndërhyrë për të mbrojtur mikun e tij pasi ai shtyhet nga një kundërshtar në fushë. Pikërisht këto momente kanë bërë që raporti i tyre të konsiderohet nga tifozët si një shembull pozitiv i miqësisë mes dy sportistëve të mëdhenj.

Të dy mbërritën te Borussia Dortmund në vitin 2020 dhe u shndërruan shpejt në figurat kryesore të skuadrës. Së bashku fituan Kupën e Gjermanisë në vitin 2021, përpara se Haaland të transferohej te Manchester City dhe Bellingham të merrte drejtimin e skuadrës gjermane, deri në kalimin e tij te Real Madridi.

“Bromance” që po çmend Botërorin: Bellingham dhe

Edhe pse janë përballur disa herë në Ligën e Kampionëve, kjo do të jetë hera e parë që dy miqtë luajnë kundër njëri-tjetrit në nivel kombëtaresh. Përballja mes Anglisë dhe Norvegjisë pritet të jetë një nga ndeshjet më të ndjekura të turneut, jo vetëm për rëndësinë sportive, por edhe për duelin mes dy prej futbollistëve më të mirë të brezit të tyre.

Haaland ka treguar se nuk ka komunikuar me Bellinghamin përpara ndeshjes, duke theksuar se të dy janë të përqendruar te kombëtaret respektive. Megjithatë, pavarësisht se njëri prej tyre do të duhet të përjetojë zhgënjimin e eliminimit, tifozët presin që pas vërshëllimës së fundit miqësia të triumfojë sërish mbi rivalitetin.