Nëse emrin e saj e lexon nga prapa, do të gjesh hijeshinë e një historie familjare: Irma – Amri. Një lojë fjalësh që fsheh brenda një identitet të fortë, të ndërtuar mes dy botëve. E lindur dhe e rritur në Spanjë, 14-vjeçarja Amri Anxhelina nuk është një adoleshente e zakonshme. Ndërsa bashkëmoshatarët e saj enden mes shkollës dhe pasioneve kalimtare, ajo e ka gjetur "shtëpinë" e saj në tapetin e Jiu Jitsu-së, një sport që kërkon më shumë se thjesht muskuj: kërkon disiplinë të çeliktë, mendje të kthjellët dhe kurajë për të përballuar kundërshtarë shumë më të mëdhenj se vetja. Me një koleksion mbresëlënës medaljesh, ku spikasin titujt kampione në Europë dhe botë, Amri nuk garon thjesht për vete. Ajo garon me flamurin shqiptar në gjoks, një zgjedhje që për të nuk ka nevojë për shpjegime: "Pse të them që jam spanjolle, kur gjaku im është këtu?". "Bordo" takon kampionen që nuk di të dorëzohet, vajzën që stërvitet kur të tjerët pushojnë dhe që ëndërron që, një ditë, ta sjellë disiplinën e saj të dashur në Shqipëri.
Amri, kush ta ka vendosur emrin?
Emrin ma ka vendosur mami dhe është emri i saj mbrapsht. Pra, nga Irma që është emri i mamit, i imi është Amri.
Ti ke lindur në Spanjë, na trego pak për historinë e familjes tënde?
Babi shkoi në Spanjë para 20 vitesh dhe dy vjet më pas mami. Ata u njohën aty, u dashuruan dhe erdha unë në jetë!
Ti je sportiste në Jiu Jitsu, ishte dëshirë e jotja apo të nxiti dikush?
Unë kam bërë sport gjithë jetën, por kur isha 9 vjeçe babi më futi në boks, por nuk më pëlqente shumë. Babi ka qenë boksier në Shqipëri dhe ma ka ushqyer dëshirën për këtë sport, por unë pëlqeja më shumë Jiu Jitsu, ndaj e lashë boksin dhe sa e provova ngela atje.
Çfarë sporti është Jiu Jitsu?
Jiu Jitsu është një art marcial për vetëmbrojtjeje, që të mëson sesi të mbrohesh në rrugë dhe për t’u ndjerë më i sigurt. Në Spanjë e bëjnë shumë policat dhe stafi i sigurisë nëpër diskoteka.
Ke fituar shumë çmime, a mund të na tregosh për to?
Kam gjashtë rripa, tre çmime si kampione bote, 7 kampione Europe dhe disa NAGA. Çmimin e parë e mora në Gjermani në 2023 dhe është një edicion i limituar, pastaj fitova në Angli dhe kam disa në Spanjë. Por me rëndësi janë ato që kam fituar tri herë titullin botëror dhe shtatë herë kampione Europe. Tani jam në kategorinë e fundit për fëmijë dhe vitin që vjen do të kaloj në atë për adoleshentë që janë 16 deri 18 vjeç.

Cila ka qenë gara më e vështirë që ke pasur?
Një prej më të vështirave ka qenë në Galicia, ku garonin 200 veta dhe unë duhet të bëja 1000 kilometra rrugë për të shkuar në ndeshje. Isha vetëm dhe u ndesha me gra 30 vjeçe që ishin shtatë kilogramë më shumë se mua, ndërsa unë isha 14 vjeçe dhe fitova.
Kush të ndjek në çdo garë ku merr pjesë?
Të dy, mami dhe babi. Edhe pse babi ishte ai që më futi në këtë sport, mami nuk e ka pasur fillimisht me shumë dëshirë pasi kishte frikë se mos dëmtohesha, pasi është një sport shumë agresiv si sport. Por me kalimin e kohës pastaj, mami është fansja numër një për mua.
Sa disiplinë kërkon jeta e një kampioneje?
Kërkon shumë disiplinë, së pari të mos kesh asnjë nga ato veset e këqija, si të pish duhan apo alkool. Nga ana tjetër ka një regjim sportiv që të kërkon të bësh palestër vazhdimisht, por jo vetëm aktivitet fizik, pasi kërkon edhe përqendrim mental në mënyrë që të jesh sa më shumë garues.
Ke lindur në Spanjë, ndërkohë garon për flamurin shqiptar?
Shpesh më kanë pyetur: pse mban flamurin shqiptar kur ti ke lindur dhe jeton në Spanjë. Pse duhet dal edhe të them “unë jam spanjolle”, kur prindërit dhe të gjithë të afërmit i kam shqiptarë. Kështu ndihem shumë mirë.
A vjen shpesh në Shqipëri dhe çfarë të pëlqen më shumë?
Vij një herë ose dy herë në vit. Më pëlqen shumë ushqimi shqiptar, ka më shumë shije.
Cila është ëndrra jote më e madhe për këtë sport?
Dëshiroj që në të ardhmen të vij në Shqipëri, të hap një palestër dhe të fitoj një rrip të zi.
