KreuBusull

“Little Albania” zyrtarizohet në hartën e New York-ut, njihet si një nga lagjet historike të komuniteteve emigrante

“Little Albania” zyrtarizohet në hartën e New York-ut,
Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara ka marrë një tjetër vlerësim simbolik, pasi “Little Albania” është përfshirë zyrtarisht në hartën e enklavave të emigrantëve të publikuar nga Bashkia e New York-ut.

Zona, e vendosur në Bronx, renditet mes lagjeve që përfaqësojnë komunitete të ndryshme etnike, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë, zhvillimin dhe identitetin kulturor të metropolit amerikan.

Harta përfshin 30 zona të shpërndara në pesë bashkitë e New York-ut, të njohura për përqendrimin historik të komuniteteve emigrante. Mes tyre tashmë figuron edhe “Little Albania”, ku prej dekadash jeton dhe zhvillon aktivitetin një nga komunitetet më të mëdha shqiptare në qytet.

Publikimi i hartës ka ngjallur debat, pasi në të nuk është përfshirë “Little Italy”, një nga lagjet më të njohura historike të emigracionit italian në SHBA. Përfaqësues të komunitetit italo-amerikan dhe drejtues institucionesh kulturore e kanë cilësuar këtë mungesë si një gabim, duke theksuar kontributin e madh të emigrantëve italianë në zhvillimin e New York-ut.

Pavarësisht polemikave, “Little Albania” mbetet pjesë e hartës zyrtare, krah enklavave të tjera të njohura si Koreatown, Chinatown, Little Ukraine, Little Guyana, Little Pakistan dhe Little Yemen.

Sipas Bashkisë së New York-ut, qëllimi i kësaj harte është të dokumentojë dhe të njohë lagjet që janë formuar ndër vite nga komunitete të ndryshme emigrantësh, duke pasqyruar historinë dhe diversitetin kulturor të qytetit.