
Hetimet për rastin e dhunës ndaj 17-vjeçares në Fier kanë marrë një tjetër drejtim, ndërsa autoritetet po verifikojnë edhe dyshime për një skemë shantazhi ku dyshohet se ishin të përfshira vajzat e arrestuara.
Ndërkohë, Gjykata ka ndryshuar masat e sigurisë për tre të rejat e përfshira në ngjarje. Për njërën prej 15-vjeçareve është vendosur masa “mjekim i detyruar”, pasi dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ndaj 19-vjeçares është lënë në fuqi masa “arrest me burg”, ndërsa për 15-vjeçaren tjetër është caktuar “arrest shtëpie”.
Përveç hetimeve për dhunën ndaj të miturës, organet ligjzbatuese po shqyrtojnë edhe përfshirjen e tyre në vepra të tjera penale. Sipas të dhënave paraprake të siguruara nga policia, tre të rejat dyshohet se kishin ngritur një skemë shantazhi, përmes së cilës kontaktonin burra në rrjetet sociale ose online, i joshnin me premtimin për një takim në hotel dhe më pas ata fotografoheshin, me qëllim përdorimin e materialeve për t’i shantazhuar.
Sipas hetimeve, një nga personat që dyshohet se ka rënë pre e kësaj skeme është një punonjës policie, baba i dy fëmijëve. Ai ishte kontaktuar nga 15-vjeçarja dhe, megjithëse nuk kishte shkuar në hotel, por ishte takuar me të vetëm në një lokal, bisedat e zhvilluara mes tyre dyshohet se u përdorën më pas për ta kërcënuar.
Sipas burimeve hetimore, efektivi është shantazhuar që të ndikonte në mbylljen e çështjes së dhunës ndaj 17-vjeçares, me paralajmërimin se në të kundërt bisedat do të publikoheshin në internet.
Pas zbulimit të rastit, punonjësi i policisë është përjashtuar nga detyra, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po vijon verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
