KreuBusull

Ariu “hajdut serial” mban në alarm një qytet në Japoni, futet në banesa dhe vjedh ushqime nga frigoriferët

Ariu “hajdut serial” mban në alarm një qytet në
Një ari i zi aziatik është kthyer në shqetësimin kryesor të autoriteteve në Japoni, pasi dyshohet se ka hyrë në të paktën 14 banesa brenda dy javësh, duke vjedhur ushqime nga frigoriferët e banorëve.

Ngjarja më e fundit ndodhi të hënën në mbrëmje në qytetin Shizuoka. Mitsuo Matsubara, 87 vjeç, u zgjua nga zhurmat që vinin nga kuzhina dhe, kur shkoi të kontrollonte, u përball me një ari të madh të zi. Frigoriferi ishte hapur, ndërsa ushqimet ishin shpërndarë në dysheme. Ai lajmëroi menjëherë bashkëshorten, e cila njoftoi policinë.

Sipas autoriteteve, ky është incidenti i 14-të i raportuar në të njëjtën zonë brenda vetëm dy javësh. Ekspertët besojnë se pas të gjitha rasteve fshihet i njëjti ari, i cili duket se është rikthyer vazhdimisht në kërkim të ushqimit.

Për të mbrojtur banorët, autoritetet kanë vendosur kurthe, gardhe elektrike pranë shtëpive të rrezikuara dhe kanë shtuar patrullimet në zonë.

“Është e pazakontë që një ari të kthehet vazhdimisht në të njëjtin vend. Besojmë se bëhet fjalë për të njëjtën kafshë dhe synojmë ta kapim sa më shpejt,” u shpreh specialistja e faunës së egër, Shiho Chida.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar disa nga vizitat e pazakonta të ariut. Në një rast ai u filmua duke tentuar të hapte derën rrëshqitëse të një banese gjatë natës, por u largua pasi pronari nisi t’i bërtiste.

Në një tjetër incident, një banor u kthye nga pazari dhe e gjeti ariun brenda shtëpisë, vetëm pak metra larg dhomës ku flinte babai i tij i moshuar. Ai arriti ta largonte duke përplasur fort një derë, por më pas u detyrua ta mbante të mbyllur për rreth 30 sekonda, ndërsa kafsha përpiqej të hynte sërish.

Një natë më pas, një grua e gjeti ariun në kuzhinën e saj, ndërsa të dielën ai hyri në një pastiçeri dhe mori petulla nga frigoriferi.

Ekspertët theksojnë se raste të tilla janë bërë më të shpeshta vitet e fundit në Japoni. Sipas tyre, rënia e popullsisë në zonat rurale dhe zgjerimi i habitatit të arinjve kanë bërë që këto kafshë të afrohen gjithnjë e më shumë me vendbanimet njerëzore në kërkim të ushqimit.