KreuBusull

Mbappé shpërthen pas eliminimit dhe kritikon taktikat e Francës dhe “mallkimi” që e ndjek në tre Botërore!

Mbappé shpërthen pas eliminimit dhe kritikon taktikat e Francës

Kylian Mbappé nuk i kurseu kritikat pas eliminimit të Francës nga Kupa e Botës 2026, duke pranuar se skuadra e tij dështoi si në aspektin taktik, ashtu edhe në zbatimin e planit të lojës.

“Gjelat” u mposhtën 2-0 nga Spanja në gjysmëfinalen e zhvilluar në Arlington të Teksasit, duke humbur mundësinë për të luajtur në finalen e tretë radhazi të një Botërori.

Pas përfundimit të takimit, kapiteni francez analizoi problemet e skuadrës dhe dukej se vuri në diskutim edhe qasjen taktike të trajnerit Didier Deschamps.

“Ne ishim tre kundër dy në mesfushë dhe përballë Spanjës kjo është shumë e vështirë. Fabián Ruiz dhe Rodri kishin shumë kohë për të luajtur. Mungoi komunikimi gjatë presingut. Mendoj se duhej të luanim me markim individual dhe t’i detyronim të vraponin me ne”, deklaroi Mbappé.

Franca e nisi gjysmëfinalen pas gjashtë fitoreve radhazi dhe 16 golave të shënuar në turne, por nuk arriti të krijonte rrezik serioz përballë një Spanje që kontrolloi ritmin dhe zotërimin e topit.

Spanjollët kaluan në avantazh në minutën e 22-të, kur Mikel Oyarzabal realizoi nga pika e bardhë pas ndërhyrjes së Lucas Digne ndaj Lamine Yamal. Pedro Porro vulosi rezultatin 2-0 në minutën e 58-të, pas një kombinimi të bukur me Dani Olmon.

Mbappé pranoi se plani i Francës ishte të ushtronte presion të lartë dhe të mos e lejonte Spanjën të vendoste ritmin e saj, por sipas tij, futbollistët francezë nuk e zbatuan siç duhej.

“Nuk zhvilluam ndeshjen që dëshironim, as teknikisht dhe as taktikisht. Kur nuk bën atë që duhet në një gjysmëfinale të Kupës së Botës, nuk fiton. Spanja e respektoi planin e saj të lojës, ndërsa ne jo”, u shpreh sulmuesi i Real Madridit.

Ylli francez kritikoi gjithashtu gabimet me topin dhe prekjet e para të lojtarëve, të cilat ia mundësuan Spanjës ta rimerrte shpejt posedimin.

“Ishim shumë të pakujdesshëm teknikisht. Edhe kur e fitonim topin, prekja jonë e parë nuk ishte mjaftueshëm e mirë. Nuk arritëm t’i godisnim atëherë kur kishim mundësinë”, shtoi ai.

Pas eliminimit, Mbappé foli hapur edhe për barrën e përgjegjësisë që mban si kapiten i Francës. “Në fund të fundit, kur fiton, merr gjithë lavdinë. Kur nuk fiton, duhet… më falni… të marrësh gjithë m*tin”, u shpreh ai, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë për të përshkruar zhgënjimin. Sulmuesi bëri të qartë se nuk kërkon justifikime dhe se është gati të marrë mbi vete pasojat e humbjes ndaj Spanjës.

Deschamps u përpoq ta ndryshonte rrjedhën e lojës duke larguar Adrien Rabiot në përfundim të pjesës së parë dhe duke aktivizuar Désiré Doué dhe Rayan Cherki, por zëvendësimet nuk e ndryshuan kontrollin e Spanjës.

Cherki gjithashtu pranoi se Francës i mungoi pothuajse gjithçka në këtë përballje.

“Ata ishin më të mirë se ne në çdo aspekt dhe mendoj se e dëshironin më shumë fitoren. Është e dhimbshme, sepse ende besoj se kemi një skuadër më të mirë, por sot Spanja ishte më e fortë. Na mungoi gjithçka”, deklaroi ai.

Për Mbappé, eliminimi solli fundin e një tjetër Botërori mbresëlënës në aspektin individual. Me 20 gola të realizuar në vetëm tri pjesëmarrje, sulmuesi francez është golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e kompeticionit, pas Lionel Messit, i cili numëron 21 gola dhe do të luajë në gjysmëfinalen tjetër kundër Anglisë.

Megjithatë, pavarësisht shifrave të jashtëzakonshme, Mbappé vazhdon të shoqërohet nga një statistikë e pazakontë. Asnjë prej 20 golave të tij në Kupën e Botës nuk ka ardhur në fazën gjysmëfinale.

Kjo “thatësirë” vazhdoi edhe ndaj Spanjës, ku kapiteni i Francës e nisi ndeshjen si titullar, por nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës.

E njëjta gjë kishte ndodhur edhe në dy Botërorët e mëparshëm. Në vitin 2018, Franca mposhti Belgjikën 1-0 falë golit të Samuel Umtitit, ndërsa Mbappé nuk shënoi. Katër vite më vonë, në Katar, francezët mundën Marokun 2-0 me golat e Théo Hernández dhe Randal Kolo Muani, por ylli i skuadrës mbeti sërish pa gol.

Humbja ndaj Spanjës konfirmoi se Mbappé nuk ka arritur të shënojë në gjysmëfinale në tri edicione radhazi të Kupës së Botës.

Në të gjitha fazat e tjera, megjithatë, francezi ka qenë një makineri golash. Golin e parë në Botëror e realizoi në fazën e grupeve të Rusisë 2018, duke i dhënë Francës fitoren ndaj Perusë.

Në Katar 2022, ai shënoi ndaj Australisë, realizoi dy gola kundër Danimarkës, një tjetër dygolësh ndaj Polonisë në fazën e 1/8-ave dhe një tripletë historike në finalen kundër Argjentinës.

Edhe në Botërorin 2026, Mbappé vazhdoi me formën e shkëlqyer, duke realizuar dy gola ndaj Senegalit, një kundër Irakut, dy të tjerë ndaj Suedisë në raundin e 32 skuadrave, golin e fitores kundër Paraguait dhe golin e tij të parë në një çerekfinale Botërori ndaj Marokut.

Ironikisht, ndërsa gjysmëfinalet mbeten pengesa e tij më e madhe, finalet kanë qenë skena ku Mbappé ka shkëlqyer më shumë. Për herë të parë në karrierë, megjithatë, ai nuk do të jetë pjesë e finales së Kupës së Botës.

Francezi është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në finalet e Botërorit, me katër gola: një kundër Kroacisë në vitin 2018 dhe tre ndaj Argjentinës në finalen e vitit 2022.

Me këtë shifër, ai qëndron përpara legjendave si Geoff Hurst, Pelé, Vavá dhe Zinedine Zidane, të cilët kanë realizuar nga tre gola në finalet e Kupës së Botës.

Mbappé e mbylli ndeshjen ndaj Spanjës pa shënuar, por vazhdon të jetë në garë për Këpucën e Artë me tetë gola në këtë turne, po aq sa Lionel Messi. Ai kishte realizuar të njëjtin numër golash edhe në Kupën e Botës 2022, ku Franca u mposht në finale nga Argjentina pas goditjeve të penalltive.

27-vjeçari mori përsipër përgjegjësinë për eliminimin, duke theksuar rolin e tij si kapiten.

“Si kapiten, duhet të marr të gjithë përgjegjësinë dhe nuk kam asnjë problem me këtë. Donim të shkonim në finale, por nuk ia dolëm”, përfundoi Mbappé.

Franca do të luajë të shtunën në ndeshjen për vendin e tretë ndaj humbëses së gjysmëfinales mes Argjentinës dhe Anglisë, ndërsa Spanja do të kërkojë trofeun e parë botëror pas 16 vitesh.