Anglia dhe Argjentina përballen sonte në orën 21:00 në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, në një sfidë që rikthen një nga rivalitetet më të mëdha dhe më të tensionuara në historinë e futbollit.
“Tre Luanët” kërkojnë finalen e parë të Botërorit pas 60 vitesh, ndërsa Thomas Tuchel synon t’i japë fund serisë së zhgënjimeve në turnetë e mëdha. Shpresat kryesore të Anglisë mbeten Harry Kane dhe Jude Bellingham, të cilët kanë shënuar 12 nga 13 golat e skuadrës në këtë turne.
Në krahun tjetër, Lionel Messi, 39 vjeç, do të përballet për herë të parë në karrierën e tij me Anglinë. Kapiteni argjentinas ka realizuar tetë gola në gjashtë ndeshje dhe kërkon ta udhëheqë kampionen në fuqi drejt një tjetër finaleje.
Sfida mbart edhe peshën e historisë, nga përballja e vitit 1966, te “Dora e Zotit” e Diego Maradonës në vitin 1986 dhe kartoni i kuq i David Beckham në Botërorin e vitit 1998.
Të dyja skuadrat kanë vuajtur gjatë fazës me eliminim direkt dhe kanë siguruar kualifikimet pas ndeshjeve dramatike. Sipas Opta-s, Anglia ka 39.1% mundësi për të fituar në kohën e rregullt, ndërsa Argjentina 31.6%.
Ndeshja zhvillohet në “Mercedes-Benz Stadium” në Atlanta, ndërsa fituesi do të sigurojë një vend në finalen e madhe të së dielës së 19 korrikut.
