KreuBusull

7 minuta që tronditën Anglinë, Messi çon Argjentinën në finalen e Botërorit

7 minuta që tronditën Anglinë, Messi çon Argjentinën

Argjentina ka siguruar biletën për në finalen e Kupës së Botës 2026, pas një përmbysjeje dramatike 2-1 ndaj Anglisë në minutat e fundit të gjysmëfinales.

“Tre Luanët” kaluan të parët në avantazh në minutën e 55-të, falë golit të Anthony Gordon, duke u afruar vetëm pak minuta larg finales së parë të një Botërori për meshkuj që prej vitit 1966.

Pas golit, skuadra e Thomas Tuchel u tërhoq në mbrojtje dhe u përpoq të ruante rezultatin. Trajneri gjerman aktivizoi tre mbrojtës dhe e vendosi ekipin me pesë lojtarë në repartin defensiv, një zgjedhje që u kritikua menjëherë nga tifozët dhe ekspertët.

Presioni i vazhdueshëm i Argjentinës dha rezultat në minutën e 85-të. Enzo Fernández realizoi me një goditje të fuqishme nga kufijtë e zonës, pas asistit të Lionel Messit, duke rikthyer baraspeshën.

Goditja përfundimtare për Anglinë erdhi në minutën e dytë shtesë. Messi krijoi sërish aksionin vendimtar, ndërsa Lautaro Martínez shënoi me kokë nga pranë portës për të kompletuar përmbysjen dhe për të shpërthyer festën argjentinase.

Në tribuna, Antonela Roccuzzo nuk arriti t’i mbante lotët pas golit të Fernández. Bashkëshortja e Messit përjetoi me emocione të forta kualifikimin, i cili i jep 39-vjeçarit mundësinë të mbyllë karrierën në Botëror si kampion për herë të dytë radhazi.

Pas përfundimit të ndeshjes, Messi udhëhoqi festën e lojtarëve përpara tifozëve. Disa prej futbollistëve shfaqën gjithashtu një pankartë me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas”, veprim që mund të sjellë masa disiplinore nga FIFA.

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, pranoi se skuadra e tij ishte tërhequr më shumë seç duhej pas golit të avantazhit.

“Pasi shënuam, u duk sikur po përpiqeshim vetëm të mbronim rezultatin. Në këtë nivel kjo nuk mjafton. Jam i shkatërruar për lojtarët, stafin dhe tifozët”, deklaroi Kane.

Edhe Tuchel pranoi se Anglia u tregua tepër pasive, por mbrojti vendimet e tij taktike, duke theksuar se ndryshimet u bënë për të përballuar presionin dhe krosimet e vazhdueshme të Argjentinës.

Kampionët në fuqi do të përballen me Spanjën në finalen e madhe të së dielës në East Rutherford, New Jersey. Përballja mund të jetë paraqitja e fundit e Lionel Messit në skenën e Kupës së Botës dhe mundësia e tij për të shkruar një tjetër kapitull historik.