
Pas fitores dramatike ndaj Anglisë dhe sigurimit të finales së Botërorit 2026, Argjentina u përball me një surprizë të veçantë jashtë fushës. Në qendër të vëmendjes përfundoi shishja e ujit e portierit anglez Jordan Pickford, e cila mbante të ngjitur një letër me të dhëna për gjuajtësit argjentinas të penalltive.
Zbulimi u bë nga Marcelo “Daddy” D’Andrea, masazhatori i njohur i kombëtares argjentinase. Teksa lojtarët e “Albicelestes” festonin kualifikimin, ai gjeti shishen e lënë në fushë nga Pickford dhe ia dorëzoi menjëherë Lionel Messit dhe pjesëtarëve të tjerë të skuadrës.
Pamjet e publikuara nga TyC Sports u bënë menjëherë virale. Messi mori fletën dhe nisi ta lexonte me kujdes, duke u përpjekur të kuptonte shënimet e përgatitura nga stafi anglez. Pas disa sekondash, kapiteni argjentinas nuk e fshehu buzëqeshjen.
Në letër ishin shënuar emrat e lojtarëve që mund të ekzekutonin penallti, si Messi, Lautaro Martínez, Julián Álvarez dhe Nicolás González, së bashku me informacionet për anët ku preferonin të godisnin.
“Janë të gjithë këtu”, u dëgjua të thoshte Nicolás González, ndërsa Messi pyeti për kuptimin e shënimeve. “Shkruhet se ku duhet ta çosh topin”, i shpjeguan shokët e skuadrës. “Pra, i ka studiuar penalltitë”, reagoi Messi me një buzëqeshje.
Shishja përmbante analizat e stafit të Anglisë mbi zakonet e gjuajtësve argjentinas, një praktikë e zakonshme në nivelet më të larta të futbollit, ku portierët përgatiten me detaje për çdo skenar të mundshëm.
Përgatitësi atletik i Argjentinës, Luis Martín, e shtoi edhe më shumë humorin e situatës duke publikuar foton e shishes në rrjetet sociale me një mesazh thumbues: “Më vjen keq, nuk kishim të njëjtin plan, mik”.
Megjithatë, shënimet e Pickford nuk patën mundësinë të provoheshin, pasi gjysmëfinalja nuk shkoi te penalltitë. Anglia kaloi në avantazh me Gordon, por Argjentina përmbysi gjithçka në minutat e fundit. Enzo Fernández barazoi në minutën e 85-të, ndërsa Lautaro Martínez vulosi fitoren 2-1 pas një aksioni të krijuar nga Lionel Messi.
Pickford kishte zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer, duke shpëtuar disa herë Anglinë, por në fund ishte Argjentina ajo që siguroi finalen.
Pas përfundimit të ndeshjes, pavarësisht rivalitetit dhe tensionit në fushë, Messi tregoi edhe një herë sportivitetin e tij, duke përshëndetur si Harry Kane ashtu edhe Jordan Pickford.
