Qëkur dëgjova për herë të parë që një tunel lidh ngushticën e La Manshit nga Anglia në Francë, ëndërrova ta kaloja atë!
Ky tunel në fakt përbënte një arritje të madhe për kohën kur u hap, në vitin 1994. “The Channel Tunnel“ ose ndryshe “Chunnel”, 50,46 km i gjatë, është në fakt një tunel nënujor me hekurudhë që lidh Folkestone (Kent) të Anglisë (England), me Coquelles (Pas-de-Calais) të Francës.
Pikërisht këto dy skaje i fiksova mirë atë datë të 30 shtatorit të këtij viti, sepse për të realizuar ëndrrën time e përshkova jo një, por dy herë brenda ditës.
Kishim mbërritur një natë më parë në Londër me avion, dhe pavarësisht lodhjes dhe vonesës së avionit, menjëherë pasi kishim marrë makinën me qira, kishim udhëtuar dhe kishim zënë hotel në Folkestone. Të nesërmen në mëngjes, preva 2 bileta vajtje-ardhje për La Mansh! Binte shi dhe koha ishte tejet e keqe, tipike angleze; me mjegull dhe ftohtë, pavarësisht se ishte fundi i shtatorit. Mezi po më bëhej të lija “Burlington”, hotelin e ngrohtë e të rehatshëm të Folkestone, dhe isha në ankth për kalimin e La Manshit që më priste!
Sigurisht që si çdo udhëtim me tren apo avion, duhet të isha më parë për check-in. Aty të jepnin një numër dhe në monitorë të mëdha në sallën e dyqaneve duty-free, shihje kur të vinte radha. Pas kontrolleve rutinë të pasaportave, duhej të shkoje vetëm pas tabelave që lexonin Francë, më pas kaloje disa dhjetëra metra rrugë, e në fund disa punonjës të trenit të udhëhiqnin brenda në trenin me vagonët e gjerë. Aty e kuptova si funksiononte: makinat “rehatoheshin” në vagonët e trenit me dy kate, që merrnin 4 ose 6 makina secili.
Një punonjës vinte dhe thoshte të fikje makinën dhe të ulje xhamin deri në gjysmë. Nuk duhej të rrije midis dy makinave gjatë ecjes. Por mundet të rrije ose në makinë, apo jashtë saj në vagon. Me t’u nisur treni pas anoncimeve në anglisht e frëngjisht, ai ecte pak mbi tokë e më pas futej në errësirë. Gjithsej rruga në “errësirë” zgjaste 30 minuta, dhe diku nga mesi i rrugës ndihej pak presioni dhe shtypja e ajrit. Në pikën më të ulët tuneli shkon 115 m nën nivelin e detit, ndoshta kjo më trembte disi. Nga tabela e evakuimit vura re që e gjithë struktura përbëhej nga një tunel ku shkonte treni, një tjetër që vinte dhe një tunel në mes, pak më i vogël, në rast evakuimi.
Meqë biletën e kishim vajtje-ardhje, në fakt kohën për qëndrim në Calais të Francës e kishim të kufizuar: ai ishte një vend i bukur, i këndshëm, por ne vetëm hëngrëm një drekë të shpejtë dhe u nisëm për rrugën e kthimit sërish për në Angli, pa mundur ta shijonim qytetin!
Por te kontrolli i pasaportave na priste surpriza! Doganierët nuk mundën ta besonin atë që kishim bërë! Na nxorën mënjanë nga rruga dhe një polic i doganës na mori në pyetje shumë të detajuara.
-“Vërtet ju shkuat dhe erdhët brenda ditës? Çfarë bëtë kur shkuat në Francë?”
-“Hëngrëm drekë dhe e pamë fare pak vendin! Ishte shi, kohë e keqe… Por pavarësisht kësaj, unë jam e lumtur sepse kalova ‘La Manshin!’”, i thashë. Ai u çudit nga kjo deklaratë, “Vërtet?!”.
Dhe polici vijonte:
- Nga u nisët?
- Me çfarë erdhët në UK?
- Kur erdhët?
- Ku keni fjetur mbrëmë?
- Ku e gjetët makinën?
- Ku do të shkoni më pas..?
- Çfarë pune bëni?…
Në fund punonjësi hapi valixhen dhe befas pyeti, “I keni kostumet e ceremonisë së Oksfordit”?.
-“Ah, po patjetër! A dëshiron t’i shikosh?”, - dhe gjithë qejf u mata t’i tregoj veshjet.
-“Jo, jo”, - tha. - “Por a e kupton që këtë gjë që ti e bën për qejf dhe të kënaq, unë e bej 4 herë në ditë dhe s’e duroj dot?”,- tha duke tundur kokën.
Pasi s’kishte ç’të pyeste e ç’të kontrollonte më, na uroi rrugë e kthim të mbarë në Angli dhe na përshëndeti duke tundur dorën.
Në fakt nuk e prisja që doganierët të habiteshin apo ta shënonin në kalendar faktin që dikush e bënte brenda ditës dy herë “La Manshin” thjesht për kuriozitet.
Por mua, meqë ia plotësoj vetes të gjitha dëshirat, mendimet apo vullnetet, më duket krejt normale çdo gjë që bëj, me kushtin që të jenë të realizueshme, të mos dëmtoj veten apo të tjerët rreth meje, si dhe të mos thyej ligjet dhe rregullat e vendeve ku jam.
Atë natë nuk u mjaftova vetëm me kalimin e La Manshit. Më pas timoni i makinës u drejtua nga White Cliffs në Dover. Janë formacione të mrekullueshme me ngjyrë të bardhë me lartësi 110 m e gjatësi gati 13 km në breg të detit, që përbëjnë bukuri natyrore të veçantë që të mahnitin…
Ngushtica e La Manshit, një tjetër “kryq i hequr” nga lista e dëshirave të mia!
Eda Bano, 30 shtator 2024