mirmbrema yje

Çfarë e bëri Blendi Fevziun të përlotet në “Mirmbrëma Yje”? - Celebrity
KreuCelebrity

Çfarë e bëri Blendi Fevziun të përlotet në “Mirmbrëma Yje”?

Çfarë e bëri Blendi Fevziun të përlotet në

Gazetari i njohur Blendi Fevziu ishte i ftuari special i kësaj jave në emisionin “Mirmbrëma Yje” të Arbana Osmanit, ku publiku e pa në një version të rrallë: personal, të sinqertë dhe emocional. Ndryshe nga mbrëmjet e së enjtes në studion e “Opinion”, kësaj here Fevziu foli përtej politikës, duke ndarë momente nga jeta si profesionist, baba dhe udhëtar pasionant.

Por pavarësisht temave të shumta, intervista mori një kthesë të fortë emocionale kur u prek çështja e luftës së Kosovës, periudhë që gazetari e cilësoi si një nga më të vështirat e karrierës së tij 30-vjeçare.

I pyetur nga Arbana Osmani se cili ka qenë i ftuari apo momenti që e ka bërë të qajë, Fevziu rrëfeu një episod të paharruar gjatë transmetimit të një emisioni të realizuar në Pallatin e Sportit në Tiranë, në vitin 1999. Në atë periudhë, mijëra shqiptarë të Kosovës kishin hyrë në Shqipëri përmes rrugës së Kukësit, të lodhur, të uritur dhe të shqetësuar për fatin e familjarëve.

“Pallati i Sportit ishte plot me njerëz që kishin ardhur me traktorë, me çfarë të mundnin. Kishin bërë 12 orë rrugë pa ngrënë, sepse nuk kishte asnjë restorant përgjatë rrugës. Fëmijët rrinin aty, të trembur. Papritur një djalë i vogël më pyeti: ‘A ke ndonjë gjë për të ngrënë se nuk kam ngrenë?’ Nuk merrja dot frymë,” – kujtoi Fevziu, i emocionuar edhe gjatë rrëfimit.

Ai tregoi se shoferi i ambasadorit të OSBE-së kishte nxituar të sillte diçka nga makina e tij për t’i dhënë fëmijës. “Mbasi mbaroi emisioni nuk mund të mos qaje,” tha gazetari, duke shtuar se momenti më prekës ishte një vajzë e vogël që kërkonte të atin, pa ditur nëse ishte gjallë apo ku ndodhej.