Elbasani u shndërrua dje në qendrën e traditës, kulinarisë dhe kulturës shqiptare, me organizimin e Festës së Tavës së Elbasanit në Sheshin Gensher. Aktiviteti, i zhvilluar gjatë paradites dhe pasdites, mblodhi një numër të madh qytetarësh, të cilët patën mundësinë të kalonin disa orë ndryshe dhe të shijonin nga afër atmosferën festive të qytetit.
Në qendër të festivalit autokton ishte Tava e Elbasanit, një nga gatimet më të njohura të kuzhinës shqiptare, e cila prej brezash përfaqëson mikpritjen, traditën dhe identitetin kulinar të qytetit.
Një nga momentet më të veçanta të aktivitetit ishte prania e fëmijëve të veshur me kostume popullore, të cilët, të ulur rreth sofrës tradicionale, treguan me entuziazëm se e dinin përmendësh recetën e Tavës së Elbasanit. Një pamje e ëmbël që ndërthuret bukur mes brezave dhe dëshmoi se tradita vazhdon të ruhet dhe të përcillet te më të vegjlit.





Pjesë e rëndësishme e programit ishte edhe podcasti i drejtuar nga gazetarja e njohur Ilda Lumani dhe Xhani Shqerra. Gjatë bisedës, kryetari i Bashkisë së Elbasanit foli për traditat elbasanase dhe për rëndësinë e Tavës së Kosit, pjata që e ka bërë qytetin të njohur brenda, por dhe jashtë Shqipërisë.


Ai e cilësoi këtë gatim si një pjesë të pandashme të gastronomisë, historisë dhe identitetit të Elbasanit. Në panelin e podcastit ishte e pranishme edhe Zana Çela, drejtuese e Organizatës Kombëtare të Turizmit, e cila vendosi theksin për rëndësinë e promovimit të traditave dhe kulinarisë shqiptare si pjesë e identitetit turistik të vendit.

Pasditja vijoi me një bashkëbisedim mes disa prej shefave më të njohur të kuzhinës shqiptare, të cilët ndanë eksperiencat e tyre profesionale, mënyrat e përgatitjes së Tavës së Elbasanit dhe rolin që kjo pjatë ka pasur në prezantimin e gastronomisë shqiptare në botë.




Pjesë e këtij paneli ishin emra të rëndësishëm që kanë patur fillimet e tyre në kulinarinë botërore për tu zhvendosur në origjinë, Shqipëri si chef Naim Bashmili nga Elbasani, chef Sokol Prenga nga Delikatesë, chef Bledar Kola nga Mullixhiu dhe chef Senad Përfati nga Idromeno, Shkodër. Edhe pse vijnë nga krahina të ndryshme, ata treguan njohjen dhe lidhjen e tyre me traditën elbasanase, duke ndarë mënyrën se si e realizojnë këtë recetë dhe përbërësit që përdorin për t’i ruajtur shijen karakteristike.



Qytetarët dhe vizitorët patën gjithashtu mundësinë të degustonin Tavën e Elbasanit dhe të njiheshin më nga afër me historinë, përgatitjen dhe vlerat e saj gastronomike.



Atmosfera u bë dhe më e harshme nga interpretimet e këngëtarëve dhe Ansamblit të Qytetit, të cilët sollën ritme dhe valle popullore. Në skenë performuan gjithashtu artisti Brikel Guga dhe këngëtarja e mirënjohur Manjola Nallbani, duke e kthyer festën në një ndërthurje të muzikës, kulturës dhe traditës.



