
Pas një karriere të gjatë në tregun financiar, Vlera Haxhiraj zgjodhi të ndjekë dashurinë dhe pasionin për bizhuteritë. Teara Handmade Jewelry lindi si një udhëtim i bukurisë, kujtimeve dhe artit të bërë me dorë. Çdo krijim është një copëz shpirti, një histori e lidhur me të kaluarën dhe me ëndrrën, ku bukuria lind nga përkushtimi dhe dashuria për detajin. E frymëzuar nga udhëtimet, kujtimet, njerëzit dhe çdo ndjenjë që e bën të ndalet e të krijojë. Një rrugëtim aspak i lehtë, nga gjetja e materialeve, te përballja me veten e saj dhe tregun shqiptar.
Ashtu sikurse vetë Vlera thekson përmes pasionit, guximit dhe përulësisë, ajo ndërtoi një markë elegante, e cila pa frikë mund të jetë një nga më të kërkuarat në botë. Sot, Teara po rritet, me plane për koleksione të reja, bashkëpunime artistike dhe një prani që shkon përtej kufijve. Një ëndërr e kthyer në art, një shpirt që ndriçon përmes bizhuterive, Teara, e bërë me dorë, e bërë me zemër.


Ky set i punuar me dorë, frymëzuar nga bukuria e palloit, është një simfoni e perlave, kristaleve dhe nuancave smerald-blu. Varësja e punuar me detaje të imta dhe vathët harmonikë reflektojnë luks të qetë e delikatesë femërore. Çanta që e shoqëron, e mbuluar me rruaza që ndriçojnë si pendët e palloit, me një perlë në qendër, e kthen në një set unik, që përshtatet më së miri për raste të veçanta. E punuar me mjeshtëri, ajo ka një stil artistik, luksoz dhe delikat, që tërheq vëmendjen menjëherë për shkak të detajeve dhe kombinimit të ngjyrave të ftohta elegante. Çanta harmonizohet në mënyrë perfekte me varësen, vathët dhe unazën, duke krijuar një komplet tërheqës për evente të veçanta apo mbrëmje gala.

Në vazhdim, eleganca merr formë në një fustan kadifeje smeraldi, ku tekstura e butë takon shkëlqimin e bizhuterive artizanale. Kombinimi i aksesorëve me çantën e dekoruar dhe varësen që ndriçon qafën sjell një qasje ndryshe të klasikes që ne perceptojmë. Përmes formës së qëndisjes së gurëve të Swarovskit dhe perlave të llojeve të ndryshme, duke i vendosur në mënyrë që të krijojë strukturë, volum dhe lëvizje, aq sa na afron me idenë e bizhuterisë skulpturë. E në fund të fundit, qëllimi i Teara Handmade Jewelry është të krijojë vepra arti që mund të vishen!



