KreuFashion

Një fillim i pastër: "Cloud dancer" kurorëzohet Ngjyra e Vitit 2026

Pantone ka shpallur zyrtarisht Ngjyrën e Vitit për 2026, duke zgjedhur për herë të parë në historinë e saj një nuancë të bardhë: Cloud Dancer (PANTONE 11-4201). E përshkruar si një bardhë “e ajrosur, e balancuar dhe e butë”, kjo ngjyrë synon të sjellë qetësi dhe paqe në një botë gjithnjë e më të zhurmshme.

Sipas Institutit Pantone, Cloud Dancer ka një “prani të aeruar” dhe shërben si një “pëshpëritje qetësie” në një realitet ku ritmi i jetës dhe ndikimi i teknologjisë rriten dita-ditës. Leatrice Eiseman, drejtoreshë e institutit, thotë se nuanca simbolizon fillime të reja dhe dëshirën kolektive për një rifreskim emocional e vizual.

Kjo është hera e parë që Pantone zgjedh të bardhën si ngjyrë të vitit që prej nisjes së traditës në vitin 1999. Zgjedhja vjen pas analizimit të trendeve kulturore, politike, estetike dhe sociale, të cilat ekipi i ekspertëve i shqyrton çdo vit për të pasqyruar frymën e kohës përmes një nuance të vetme.

Pantone thekson se “ngjyra e vitit” synon të nxisë reflektim mbi mënyrën se si kultura dhe ngjyra ndikojnë njëra-tjetrën. Ndaj Cloud Dancer është zgjedhur jo vetëm për natyrën e saj të qetë, por edhe për balancën e nëntoneve të ngrohta dhe të ftohta, që e bëjnë të duket organike e natyrale, larg ftohtësisë sterile që shpesh lidhet me të bardhën optike.

Trendet aktuale të modës dhe dizajnit tregojnë se kjo zgjedhje ka filluar të marrë formë: nga fustanet me pupla e prerjet e buta të vërejtura në Met Gala, te modelet e pastra e të rrjedhshme të veshura nga figura si Emma Stone dhe Rosalía. Në dizajnin e brendshëm, Cloud Dancer përshkruhet si “qartësi pa ftohtësi”, duke u kombinuar natyrshëm me dru, gur dhe tekstura organike.



Zgjedhjet e fundit të Pantone kanë përfshirë Mocha Mousse (2025), një kafe e butë ngrohëse, dhe Peach Fuzz (2024), një ton delikat që simbolizonte paqe e butësi duke treguar se qasja emocionale mbetet në qendër të filozofisë së institutit.