KreuCelebrity

Silvana Musej, një chef-e me 5 yje!

Nga Sanremo në festivalin e Venecias dhe Kanës, shqiptarja e talentuar rrëfen rrugëtimin e suksesit në eventet më të njohura, si dhe personazhet VIP për të cilët ka gatuar pjatat speciale

Ditëve të fundit të muajit shkurt, kur e gjithë vëmendja ishte te muzika e Festivalit të Sanremos, një mikesha ime më tha se në ato 4 ditë intensive një personazh nga Shqipëria kishte luajtur një rol të veçantë në ngjarjen më të madhe muzikore italiane. Ajo ishte Silvana Musej, një chef-e kuzhinë e cila prej tre vitesh ishte pjesë e Casa Sanremo, një zonë ekskluzive ku përveç eventeve u shërbehen pjata të rafinuara personazheve të njohur të muzikës dhe të ftuarve nga e gjithë bota. Pas mbi 25 vitesh eksperiencë, puna e saj është shpërblyer duke e kthyer në një ndër emrat më të njohur të kulinarisë, e vlerësuar me çmime, madje edhe me një program në Rai Due, Silvana vendos të rrëfejë për “Bordo” sekretet e jetës së një chef-e kuzhinë e cila jo vetëm që punon në restorantet më të njohura, por është edhe pjesë e eventeve ndërkombëtare si Festivali i Filmit në Venecia, Festivali i Filmit në Kanë, si dhe në Festivalin e Sanremos.

Silvana Musej, një chef-e me 5 yje!

Silvana sapo jeni kthyer nga Sanremo, jemi kuriozë, çfarë përfshin menuja në Casa Sanremo?

Menuja e Casa Sanremo është shumë e gjerë, kështu që ka një përzgjedhje të madhe për të kënaqur të gjitha shijet. Sigurisht që kishte catering të specifikuar për një grup artistësh, të cilët binin dakord paraprakisht për propozimin.

Përtej Italisë, ju keni qenë edhe në Festivalin e Kanës, si e kujton këtë eksperiencë dhe për cilët personazhe VIP keni gatuar?

Nga Festivali i Kanës kam kujtime shumë të bukura dhe kam pasur nderin të marr pjesë tri herë si Shef kuzhine. Gjatë këtyre viteve, kam pasur privilegjin t'u shërbej shumë artistëve dhe yjeve të Hollivudit, mes të cilëve: ⁠Woody Allen, Julia Roberts dhe ⁠Naomi Campbell.

Cili ka qenë personazhi më i rëndësishëm për të cilin keni gatuar?

Do të veçoja komplimentet dhe entuziazmin dinamik të supermodeles Naomi Campbell, pasi provoi rizoto me arrifre (astice), portokall dhe kakao. Për mua ishte vërtet një kënaqësi shumë e madhe.

Si ndihet një kuzhinier kur gatuan për njerëz të njohur?

Të gatuash për njerëz të njohur ta shton kënaqësinë sepse është si një sfidë në katror, pikërisht për faktin se ata janë mësuar të marrin maksimumin; prandaj duhet të përmbushësh pritshmëritë e tyre. Për mua, kjo është si një matje se deri ku mund të arrij. Edhe pse, kur je në kuzhinë, ka pak rëndësi se kush është ulur në tavolinë; rëndësi ka rezultati i shërbimit.

A e kujtoni si nisi rrugëtimi juaj në botën e gastronomisë?

Rruga ime drejt botës së gastronomisë ishte e rastësishme; duhej të isha thjesht një shitëse në një dyqan gastronomie Slow Food, por për disa arsye, koha që kaloja prapaskenave, pra në kuzhinë, ishte gjithmonë e më e gjatë.

Cili ishte momenti kur kuptuat që kuzhina ishte pasioni juaj i vërtetë?

E kuptova brenda një kohe të shkurtër, pas tre muajsh që isha në kuzhinë. Pronarja e atëhershme e gastronomisë vazhdonte të më bënte komplimente çdo ditë për çdo gjë që bëja. Shpesh më lindte dyshimi nëse ishte thjesht mirësjellje ndaj meje apo nëse komplimentet ishin të vërteta. Ajo nuk mund ta besonte se si në një kohë aq të shkurtër, unë interpretoja në mënyrë pothuajse perfekte kuzhinën e një territori që nuk ishte imi. Dhe kështu, që nga ai moment, vazhdova përpara.

Çfarë sfidash keni hasur si një shefe, grua dhe shqiptare që punon në Itali?

Kam pasur situata të vështira, sidomos kur angazhohesha për shërbime të shkurtra, pra 2-3 ditë në restorante të ndryshme, me një staf që nuk më njihte. Paragjykimi fillestar ka ekzistuar gjithmonë, për faktin se jam grua dhe jam e huaj, por me kalimin e kohës ia dola të fitoja respektin; natyrisht, profesionalizmi flet vetë.

A mund të na përshkruani një nga gatimet që ju identifikon?

“I pizzicotti” – Ravioli me mish dhe perime me tri lloje çokollate. Kjo është pjata që e marr gjithmonë me vete prej vitesh në mbarë botën dhe jam shumë krenare për krijimin tim, sepse arrij t’ua ndryshoj mendjen edhe atyre që janë pak skeptikë për këtë kombinim të guximshëm.

Silvana Musej, një chef-e me 5 yje!

Sa vend zë origjina juaj te pjatat që krijoni, a ka ndonjë që ju kujton rrënjët?

Origjina ime luan një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e një pjate. Duke qenë se jam rritur me përbërës të shëndetshëm dhe bio, në kontakt të ngushtë me natyrën, mendoj se kjo është një pjesë thelbësore e punës sime.

A ka një pjatë autentike shqiptare që mendon se mund të prezantohet denjësisht në botë?

Ka shumë pjata shqiptare, sidomos unë i adhuroj tavat, prandaj tasqebapi ose tava me kos janë të preferuarat e mia, me të cilat mund ta prezantoj në mënyrë dinjitoze Shqipërinë.

Përveç kuzhinës ju jeni edhe pjesë e ekranit, si ka qenë kjo përvojë?

Për më shumë se dy vite kam qenë pjesë e një programi televiziv të shtunave në mesditë në Rai Due, që titullohet “Cook 40” dhe për mua ka qenë një përvojë madhështore dhe shpërblyese. Aktualisht jemi ndalur për disa muaj dhe duhet të rifillojmë përsëri në vjeshtë. Në çdo seri gatuajmë menu nga rajone të ndryshme, së bashku me një të ftuar VIP të ndryshëm në çdo episod.