
I ftuar në emisionin Ftesë në 5 me moderatoren Bieta Sulo, shkrimtari Albatros Rexhaj ka ndarë një nga rrëfimet më personale dhe të ndjera për jetën e tij.
Ai u ndal te periudhat e vështira që ka kaluar, duke rikujtuar fëmijërinë dhe sfidat që e kanë formuar ndër vite. Rexhaj tregoi se dikur kishte shumë pasiguri dhe ndrojtje në vetvete, madje kishte frikë të shkonte në dasma apo të niste një bisedë të thjeshtë me një vajzë në rrugë—diçka që sot e sheh krejt ndryshe.
Ndër momentet më të forta të rrëfimit ishte kujtimi për vëllain e ndjerë. Një fotografi e tyre u kthye në simbol të një plage që ende nuk është mbyllur për të.
“Është pengu im i jetës,” u shpreh ai me emocion, duke treguar se i vëllai pësoi një atak kardiak, ra në koma dhe nuk arriti të zgjohej më.
Pavarësisht dhimbjes dhe sfidave që ka kaluar, Rexhaj theksoi se përpiqet të jetojë me pozitivitet, duke u kujdesur për mirëqenien e tij dhe duke e parë jetën me më shumë qetësi dhe optimizëm.
