
Me finalen që po afrohet, tensionet në shtëpinë e Big Brother VIP janë shtuar, ndërsa Selin dhe Miri janë përfshirë sërish në një debat të ashpër lidhur me historinë e krevatit, që daton që nga ditët e para të spektaklit.
Dy banorët shkëmbyen akuza për mënyrën se si nisi dhe u interpretua situata mes tyre, ndërsa “Vëllai i Madh” transmetoi edhe një klip me momentet përkatëse, duke rikthyer në vëmendje gjithë dinamikën.
Miri pretendoi se gjithçka nisi me kërkesën e Selin për të fjetur pranë tij, duke e cilësuar situatën të qartë dhe pa keqkuptime. Nga ana tjetër, Selin e kundërshtoi këtë version, duke sqaruar se në momentin e hyrjes në shtëpi, krevatet ishin të zëna dhe ajo kishte kërkuar vetëm ndërrim vendi, pa ndonjë qëllim tjetër.
Debati u ashpërsua kur Selin akuzoi Mirin se po e mban qëllimisht gjallë këtë temë për interes loje, duke i thënë: “Ti ke mbetur te krevati, unë kam gjëra të tjera për të diskutuar”. Miri u mbrojt duke theksuar se ishte vetë produksioni që e riktheu këtë histori në vëmendje.
Në diskutim ndërhyri edhe Rogerti, i cili hodhi dyshime mbi raportin mes tyre, duke sugjeruar se Selin dhe Miri mund të jenë njohur më herët jashtë shtëpisë. Sipas tij, gjuha e trupit gjatë takimit të parë nuk tregonte surprizë, por një lloj familjariteti të mëparshëm. Ai shtoi se dinamika mes tyre i është dukur e planifikuar dhe se kjo situatë i ka penalizuar të dy në lojë.
Megjithatë, si Selin ashtu edhe Miri i mohuan kategorikisht këto pretendime, duke këmbëngulur se nuk kanë pasur asnjë njohje më parë.
