Katër astronautët e misionit NASA Artemis II kanë hyrë në histori pasi kanë arritur distancën më të largët të udhëtuar ndonjëherë nga njerëzimi larg Tokës, duke tejkaluar rekordin e vendosur gjatë misionit Apollo 13 në vitin 1970.
Ekuipazhi i përbërë nga astronautët amerikanë Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, si dhe astronauti i Agjencisë Hapësinore Kanadeze Jeremy Hansen, kaloi distancën prej 400,171 kilometrash nga Toka kufiri i mëparshëm historik i Apollo 13.
Apollo 13 e kishte vendosur këtë rekord në rrethana emergjente, pasi një shpërthim në modulin e shërbimit detyroi NASA-n të përdorte gravitetin e Hënës për të kthyer ekuipazhin në Tokë sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt.
Sipas NASA-s, dy faktorë ndikojnë në distancën maksimale të një misioni rreth Hënës: pozicioni i Hënës në orbitën e saj rreth Tokës dhe lartësia e fluturimit mbi sipërfaqen hënore. Në rastin e Artemis II, kapsula Orion pritet të kalojë afërsisht 6,500 kilometrambi sipërfaqen e Hënës, duke e bërë atë të duket nga afër sa madhësia e një topi basketbolli në dorë të shtrirë.
NASA konfirmon se distanca maksimale e planifikuar për këtë mision do të arrijë deri në 406,773 kilometra nga Toka më vonë gjatë fluturimit, duke e çuar ekuipazhin edhe më larg në hapësirë.
Ky moment historik shënon një hap të rëndësishëm për programin Artemis dhe eksplorimin e ardhshëm njerëzor drejt Hënës dhe më tej në hapësirë.
