KreuCelebrity

Ç`po ndodh? Infertiliteti në rritje: 1 në 6 çifte, vështirësi për të pasur fëmijë!

Ç`po ndodh? Infertiliteti në rritje: 1 në 6 çifte,

Numri i çifteve që përballen me vështirësi për të konceptuar një shtatzëni po rritet ndjeshëm, dhe ky fenomen nuk i përket vetëm Shqipërisë. Mjekët gjinekologë theksojnë se faktorët kryesorë lidhen me moshën e madhe kur çiftet vendosin për shtatzëninë e parë, patologjitë shoqëruese, si edhe stilin e jetesës – që përfshin ushqyerjen, duhanin, alkoolin dhe përdorimin e drogave nga të dy partnerët.

Sipas doktoreshës Eliona Demaliaj, nga Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldine”, “1 në 6 çifte has vështirësi për të konceptuar një shtatzëni”. Por, ndonëse në shoqërinë shqiptare shpesh është gruaja ajo që fajësohet, statistikat tregojnë një realitet më kompleks: 30% e rasteve lidhen me partnerin, 30% me partneren, ndërsa pjesa tjetër mbetet e pashpjeguar.

Një problem serioz mbetet stigma sociale. Shumë çifte druajnë të kërkojnë ndihmë mjekësore ose e bëjnë këtë shumë vonë. “Nuk është turp të vonosh të mbetesh shtatzënë. Çiftet duhet të flasin me mjekun ose të kërkojnë ndihmën e psikologut”, shtoi Demaliaj, duke theksuar se qasja e hershme është thelbësore.

Këto çështje u trajtuan gjerësisht në një konferencë të organizuar nga Spitali “Mbretëresha Geraldine”, ku mjekë shqiptarë dhe italianë ndanë përvoja mbi teknologjitë moderne dhe qasjet humane për trajtimin e infertilitetit. Si risi, në maternitetin e këtij spitali pritet të ngrihet edhe një Qendër e Trajtimit të Infertilitetit dhe Prokreacionit të Asistuar, e dedikuar posaçërisht për çiftet që hasin vështirësi në rrugën drejt prindërimit.

Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm drejt thyerjes së paragjykimeve dhe ofrimit të shpresës për qindra çifte shqiptare që ëndërrojnë të bëhen prindër.