
Emri i Gigi Hadid është përmendur së fundmi në dokumente të lidhura me Jeffrey Epstein, çka ka sjellë reagimin e menjëhershëm të modeles së njohur.
Pas publikimit të materialeve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, ku ajo dhe motra e saj Bella Hadid përmenden në disa emaile të vitit 2015, Gigi ka reaguar publikisht për të sqaruar situatën.
Në një përgjigje në Instagram, ajo e ka përshkruar Epstein si një “person të neveritshëm”, duke mohuar kategorikisht çdo lidhje me të. Modelja theksoi se është tronditëse të shohësh komente për veten nga dikush që nuk e ke takuar kurrë, sidomos në një kontekst kaq të rëndë.
Hadid shpjegoi se fillimisht kishte zgjedhur të qëndronte në heshtje, për të mos larguar vëmendjen nga dëshmitë e viktimave reale. Megjithatë, ajo ndjeu nevojën të reagojë për të sqaruar publikisht se karriera e saj është ndërtuar vetëm mbi përkushtimin dhe punën personale.
Ajo rikujtoi se kontratën e parë në modelim e ka firmosur që në vitin 2012 dhe prej asaj kohe ka punuar pa ndërprerje. “Përmendja e emrit tim në këto dokumente është shqetësuese dhe dua të jem e qartë: nuk kam pasur asnjë lidhje me këtë person”, është shprehur ajo.
Ndërkohë, dokumentet përfshijnë një shkëmbim emailesh ku Epstein diskuton për karrierën e motrave Hadid. Në një mesazh të datës 3 dhjetor 2015, një person i paidentifikuar e pyet atë mbi suksesin e tyre në modelim, ndërsa ai mohon që ky sukses të ketë ardhur si rezultat i ndikimit familjar.
Rasti ka rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes lidhjet dhe komentet e Epstein për figura të njohura, duke nxitur diskutime të reja mbi shtrirjen dhe ndikimin e rrjetit të tij.
