Arbër Hajdari ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Goca dhe Gra”, ku ndau me publikun detaje nga jeta e tij profesionale dhe personale. Ai foli për rolin si opinionist në Big Brother VIP Albania, angazhimin në fondacionin e tij, si dhe për jetën familjare.
Momenti më i veçantë i mbrëmjes ishte surpriza që iu bë nga babai i tij, Shkëlqim Hajdari, i cili i kishte dërguar një letër emocionuese. Letra u lexua në studio dhe preku jo vetëm Arbërin, por edhe publikun.
Në të, Shkëlqim Hajdari shprehte krenarinë për rrugëtimin e të birit, duke vlerësuar kontributin e tij ndër vite si në aktivitetet humanitare ashtu edhe në televizion. Ai ndante edhe një moment të vështirë shëndetësor që kishte kaluar disa vite më parë, periudhë gjatë së cilës kishte vendosur t’i besonte Arbërit drejtimin e familjes.
Sipas tij, Arbëri e ka përmbushur këtë përgjegjësi me dinjitet, duke u treguar i përkushtuar ndaj familjes, nënës, si dhe marrëdhënieve me vëllain dhe motrën. Ai e vlerëson gjithashtu si një prind shembullor dhe bashkëshort të kujdesshëm.
Në fund të letrës, ai i jep bekimin e tij dhe i uron shëndet, jetë të gjatë dhe suksese të mëtejshme.
Letra e plotë:
“I dashur Arbër!
Dëshmitarët e punëve që bën ti, janë të shumtë, kudo ku ka shqiptarë që punojnë e jetojnë.
Me të drejtë shumica e tyre flasin me respekt për kontributin që ti tashmë jep prej vitesh si në Fondacion ashtu edhe në Big Brother.
Ky publik sot duhet të njihet edhe me disa punë të tjera për të cilat ti je zotuar e unë jam dëshmitar… Para 5 vitesh unë kalova një çast të vështirë shëndetësor dhe ndaj vendosa që kompetencat në drejtimin e familjes t’i delegoj tek ty.
Sot pas 5 vitesh konstatoj se ti je një djalë “babë”, siç themi ne shqiptarët për djemtë dinjitozë, një bir nëne që megjithë ngarkesën që ke nënën tënde e ke prioritet në përkujdesje…
Arbër, jam krenar që me vëllain dhe motrën duheni sikur ishit fëmijë të vegjël… Jam krenar për ty si babi shembullor i Rainës, më e vogla e familjes sonë…
Je një bashkëshort mirëkuptues dhe jam krenar për marrëdhënien e ngrohtë ju keni krijuar bashkë! Me miqtë e mi në Kosovë, që ti dhe Vlera na bëtë krushq, ke një raport sikur të jesh djalë i asaj shtëpie…
Ndaj sot publikisht merre hallallin e babës, se dhe ky është po kaq i rëndësishëm sa ai i nënës. Bëfsh punë të hajrit gjithë jetën për familjen tënde të madhe, për njerëzit në nevojë dhe për Shqipërinë.
Paç shëndet e jetë të gjatë biro!
Shkëlqim Hajdari.
P.S. Të fala e përqafime gocave që të kanë ftuar aty!”
Ky moment i ndjerë solli emocione të forta në studio, duke e kthyer intervistën në një rrëfim të sinqertë për familjen, sakrificat dhe vlerat njerëzore.
