Lei Kraja dhe Kristi Lamaj kanë ndarë detaje të reja për emisionin e tyre më të ri në Top Channel, “Urban Gen”, gjatë një interviste në “Goca dhe Gra”.
Programi do të fokusohet tek të rinjtë, edukimi dhe vlerat, duke sjellë një format që kombinon debat, argëtim dhe tema sociale me rëndësi. Sipas tyre, emisioni do të krijojë edhe përplasje idesh mes brezave, duke i dhënë hapësirë diskutimeve të hapura.
Lei Kraja u shpreh: “Jam shumë e nderuar dhe mirënjohëse”, duke shtuar se me Kristi Lamaj ka një kimi të veçantë dhe se emisioni është një projekt i rëndësishëm për të.
"Ky emision ka debat, ka argëtim, ka panelistë nga moshat më të ndryshme. Ideja është të kemi edhe një farë përplasjeje mes brezave. Është një emision ku duam të edukojmë, të nxjerrim vlerat. Të fokusohemi te temat që kanë vërtet peshë. Në episodin e parë, për shembull, flitet për artet; të rinjtë që do të marrin pjesë na e thjeshtojnë punën”, u shpreh Lei.
Ajo theksoi gjithashtu se “fokusi janë të rinjtë” dhe se temat do të jenë me peshë, duke nisur nga arti në episodin e parë.
Ndërkohë, Kristi Lamaj deklaroi se do të jetë “pa filtra” në këtë projekt, duke shtuar se “rinia sot i do gjërat të qarta dhe të drejtpërdrejta”. Ai e cilësoi “Urban Gen” si një kapitull të ri për karrierën e tij, të cilin e ka nxjerrë në pah më shumë pas eksperiencës në “Big Brother VIP”.
“Unë do të jem pa filtra, ashtu siç duhet të jesh me rininë sot. Rinia sot e do troç, për atë ka nevojë, atë do t’i japim. Rinia nuk është e vështirë sot, i do gjërat shumë qartë, pastër. Është një kapitull i ri komplet për mua. Më ka pëlqyer, e kam pasur të fshehur; e nxora në pah këtë anë timen kur isha në Big Brother VIP”, tregoi Kristi.
