Diddy dyshohet se përdori një pajisje shpërthyese të improvizuar në një tentativë sulmi ndaj makinës luksoze të Kid Cudi në vitin 2012. Sipas Lance Jimenez, inspektori i Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angeles, në gjyqin kundër Sean Combs, lënda shpërthyese ishte një koktej Molotovi e bërë në shtëpi.
Lance Jimenez tha se kur mbërriti në vendngjarje, gjeti një shishe Olde English 800 brenda makinës së reperit, e cila mbante erë të fortë benzine. Pajisja e improvizuar ndezëse, të cilën zjarrfikësi e përshkroi si një “bombë të improvizuar”, kishte, sipas tij, efektivitet të kufizuar për shkak të strukturës së pëlhurës.
“Pëlhura ishte prej mëndafshi dhe ra nga fundi i shishes. Zjarri digjej dhe përfundimisht u shua, pa shkaktuar dëmin që ishte menduar të shkaktonte”, tha Jimenez. “Kam parë makina të djegura deri në themel nga sulme të tilla”, shtoi ai.
Ndërkohë që edhe vetë Kid Cudi dëshmoi javën e kaluar se dyshoi menjëherë se Diddy ishte pas sulmit. “Sapo pashë makinën e djegur, e dija që Sean Combs kishte të bënte me të,” i tha ai gjykatës, duke theksuar se Sean Combs ishte xheloz për marrëdhënien e tij të atëhershme me Cassie Ventura.



















