Auron Tare ka reaguar me tone kritike ndaj urimeve të shumta publike që janë bërë pas lajmeve që Igli Tare u emërua drejtor sportiv i Milanit. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Auron thekson krenarinë si shqiptar për suksesin personal të Tares, por ngre një shqetësim të fortë për hipokrizinë e institucioneve shqiptare, të cilat sipas tij nuk kanë pasur asnjë vullnet për ta përfshirë atë në ndonjë projekt sportiv kombëtar.
Ai thekson se shumë shqiptarë nga mbarë bota e kanë përshëndetur suksesin e Tares me sinqeritet, por një pjesë e urimeve – veçanërisht ato që vijnë nga sfera zyrtare – i duken thellësisht hipokrite. Tare kritikon mungesën e mbështetjes dhe vlerësimit institucional që Igli Tare ka marrë ndër vite në Shqipëri, pavarësisht suksesit të tij të jashtëzakonshëm në Itali dhe Europë.
“Duke falënderuar të gjithë miqtë dhe dashamirësit e Iglit, të Babait dhe të mitë të cilët kanë dërguar mesazhe urimesh dhe mbështetje për një sprovë shumë të madhe që një shqiptar do të ndërmarrë në arenën botërore të Futbollit, më duhet t’i them edhe dy fjalë si një njeri që nuk e njeh futbollin dhe atë italian në veçanti.
Si një shqiptar, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë që kanë shkruar që nga Zelanda e Re, Alaska, Kalifornia apo ndonjë fshat i thellë këtu në Shqipëri, edhe unë jam shumë krenar që një shqiptar arrin një majë të tillë në karrierën e tij personale. Suksesi i Iglit duhet të frymëzojë çdo shqiptar që vendos të provojë veten dhe fatin e tij në botën e madhe ku sot jetojmë apo kontribuojmë.
Urimet e sinqerta të shumë shqiptarëve i vlerësoj shumë si një mbështetje me të vërtetë e sinqertë. Por më duhet të them se sot në mëngjes lexova edhe disa urime thellësisht hipokrite.
Shqipëria Futbollistike dhe ajo Politike nuk patën ndonjë dëshirë apo vullnet që ish-drejtorin e Lacios ta përfshinin apo angazhonin në ndonjë projekt sportiv për të mirën e vendit. Prandaj urime Iglit dhe na kurseni hipokrizitë shqiptare please”, ka shkruar ai.