Të dielën, teksa Emmanuel dhe Brigitte Macron zbarkuan në aeroportin e Hanoit në Vietnam, kamerat kapën një moment privat të çiftit presidencial teksa hapej dera e avionit. Pamjet e filmuara nga disa agjenci të huaja të lajmeve, treguan duart e Zonjës së Parë, e veshur me të kuqe, që shtynin fytyrën e të shoqit. A mund të ketë tensione mes presidentit francez dhe gruas së tij? Apo ishte thjesht një debat në çift? Një mik i ngushtë ofroi versionin e tij për Gala.
Përballë komenteve të shumta, miku në fjalë, i pranishëm në bordin e avionit, shpjegoi se "nuk kishte asnjë gjest të dhunshëm" midis Emmanuel dhe Brigitte Macron. Ai shtoi: "Unë do të thosha të kundërtën - është e pandershme të nxirret ky përfundim bazuar në një imazh të pjesshëm, pa zë dhe pa kontekst."Sipas këtij personi, bëhet fjalë thjesht për “një moment relaksi pas një udhëtimi 16 orësh dhe para tre vizitave shtetërore në pesë ditë. Në fund, ai saktësoi për Gala se “të gjithë dëshmitarët që kanë qenë me ta në atë moment konfirmojnë atmosferën shumë të mirë në bord përpara se të zbrisnin shkallët”.
Pallati Elysée mohon çdo grindje
Menjëherë pas shfaqjes së këtyre pamjeve ka reaguar zyra e kreut të shtetit. "Është një moment kur presidenti dhe gruaja e tij po ngacmonin për herë të fundit njëri-tjetrit para zbritjes. Kaq u desh për t'u dhënë dritën jeshile teoricienëve të konspiracionit", thuhet në deklaratën zyrtare, duke shtuar se gjithçka "filloi me Russia Today, e cila raportoi se presidenti ishte rrahur nga gruaja e tij".