
Aktori i njohur hollivudian Russell Crowe vjen me një rol të pazakontë në filmin e tij më të ri, “Bear Country”, ku interpreton një shqiptar të përfshirë në pastrim parash. Filmi është një komedi me nota të forta dramatike, që pritet të tërheqë vëmendje të madhe.
Gjatë një interviste, Crowe ka treguar se historia e filmit është një përzierje mes absurditetit, dramës dhe humorit të zi.
“Është një film i quajtur Bear Country, ku unë luaj rolin e një shqiptari që merret me pastrim parash. Ka një kast të shkëlqyer dhe është vërtet shumë gazmor,” – është shprehur aktori.
Filmi sjell në ekran një kast yjesh, ku përfshihen Teresa Palmer, Luke Evans, Nina Dobrev, Aaron Paul dhe Danny Zovatto, ndërsa regjisor është Derrick Borte, me të cilin Crowe ka bashkëpunuar edhe më parë në filmin “Unhinged”.
Sipas Crowe, Bear Country është një projekt i veçantë:
“Është njëkohësisht i çuditshëm dhe dramatik, por mbi të gjitha shumë argëtues.”
Sa i përket datës së publikimit, aktori ka pranuar se ende nuk ka një konfirmim zyrtar.
“Nuk jam i sigurt kur do të dalë. Aktualisht ka rreth 6–7 oferta nga kompani të ndryshme shpërndarjeje, sepse filmi po pëlqehet shumë,” – ka thënë ai.
Me interesin e lartë nga distributorët dhe emrat e mëdhenj në kast, “Bear Country” pritet të jetë një nga komeditë më të diskutuara të ardhshme, duke sjellë edhe një rol të rrallë shqiptar në kinemanë hollivudiane.
