Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Tarn Taran të Punjabit në Indit të hënën në mëngjes, kur një student i vitit të parë të juridikut qëlloi për vdekje shoqen e klasës së tij brenda një klase, e më pas veten.
Incidenti ndodhi në Mai Bhago Law College në fshatin Usma dhe u kap nga kamerat e sigurisë. Sipas policisë, 20-vjeçari Prince Raj nga fshati Mallian hyri në klasë dhe pas një bisede të shkurtër qëlloi me plumb në kokë Sandeep Kaur, 19 vjeçe, nga Naushehra Pannuan. Ajo vdiq në vend, duke lënë pas një familje të shkatërruar nga dhimbja.
Menjëherë pas aktit makabër, Raj u përpoq të vetvritej, por u dërgua në spital në gjendje kritike. Motivi ende nuk është i qartë, por policia po heton një “këndvështrim miqësie” dhe ka sekuestruar telefonat e studentëve për analiza forenzike.
Nëna e viktimës, Harjinder Kaur, e vetme dhe e cila mbështet familjen me shtatë vajza, shprehu indinjatën dhe dhimbjen e saj: “Unë punoj çdo ditë për të siguruar një të ardhme për fëmijët e mi. Sot ajo iku për një ditë normale shkolle. Pyetja ime është: si mund të hynte një student me armë në klasë? A ka ndopak siguri në këtë kolegj?”
Ngjarja ka lënë shokët, mësuesit dhe komunitetin në shok, duke ngritur pyetje të rënda mbi sigurinë në institucionet arsimore dhe pasojat e marrëdhënieve personale që përfundojnë në dhunë tragjike.
