
Princi dhe Princesha e Uellsit kanë reaguar publikisht për herë të parë pas publikimit të dokumenteve të reja lidhur me Jeffrey Epstein, duke shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit rreth këtij skandali.
Nëpërmjet një deklarate të shkurtër nga Pallati Kensington, u bë e ditur se Princi William dhe Princesha Catherine janë të përqendruar kryesisht tek viktimat, në dritën e informacionit të ri që ka dalë në pah nga dokumentet e publikuara në Shtetet e Bashkuara për financierin e ndjerë amerikan.
“Princi dhe Princesha janë thellësisht të shqetësuar nga zbardhjet e vazhdueshme. Mendimet e tyre mbeten të fokusuara tek viktimat,” thuhet në deklaratën zyrtare, sipas BBC.
Edhe pse reagimi nuk përmend drejtpërdrejt emra si Jeffrey Epstein, Princi Andrew apo ish-bashkëshortja e tij Sarah Ferguson, deklarata vlerësohet si domethënëse, sidomos për shkak të akuzave të reja që kanë rikthyer vëmendjen publike ndaj Andrew Mountbatten-Windsor.
Ky reagim vjen në një moment delikat, teksa Princi William po përgatitet për një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, e konsideruar me rëndësi të veçantë diplomatike. Burime mbretërore bëjnë të ditur se oborri është i vetëdijshëm për ndjeshmërinë e situatës dhe për rritjen e presionit publik mbi Familjen Mbretërore, ndërsa skandali Epstein vijon të dominojë titujt mediatikë.
Përmes kësaj deklarate, William synon të distancohet nga heshtja dhe të tregojë se nuk është indiferent ndaj zhvillimeve negative, duke krijuar hapësirë që fokusi publik të zhvendoset drejt angazhimeve të tij zyrtare. Megjithatë, analistët vlerësojnë se reagimi nuk do të mjaftojë për të shuar plotësisht pyetjet mbi mënyrën se si është menaxhuar më herët çështja e lidhjeve të Princit Andrew me Epstein.
Andrew Mountbatten-Windsor ka qenë prej vitesh nën vëzhgim për marrëdhënien e tij me Epstein dhe ka pranuar se ka ruajtur kontakte me të edhe pas dënimit të financierit në vitin 2008 për abuzim seksual me të mitur. Ai ka kërkuar ndjesë publike për lidhjet e tij me Epstein, por ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në shkelje ligjore.
