KreuCelebrity

Bad Bunny bën histori në Super Bowl 2026: spektakël në spanjisht, yje botërorë dhe një martesë live në skenë!

Super Bowl i vitit 2026 hyri në histori jo vetëm për ndeshjen mes New England Patriots dhe Seattle Seahawks, por edhe për spektaklin madhështor të pushimit (Halftime Show), i cili u mbajt në Levi’s Stadium, Santa Clara, Kaliforni. Ylli portorikan Bad Bunny ishte kryefjala e mbrëmjes, duke u bërë artisti i parë latin që udhëhoqi i vetëm shfaqjen dhe plotësisht në gjuhën spanjolle.

Fituesi i çmimeve Grammy, 31 vjeç, e hapi performancën me hitin “Tití Me Preguntó”, duke ecur në një skenografi simbolike të mbjellë me kallam sheqeri, i shoqëruar nga balerinë të veshur si fermerë një homazh i fortë ndaj kulturës dhe rrënjëve latine.

Shfaqja ishte e mbushur me mesazhe të fuqishme, surpriza dhe paraqitje të papritura nga emra të njohur botërorë. Lady Gaga iu bashkua Bad Bunny-t në skenë për një performancë në anglisht të këngës “Die With a Smile”, ndërsa Ricky Martin interpretoi disa vargje nga kënga “Lo Que Le Pasó a Hawaii”.

Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte kur Bad Bunny performoi mbi një shtëpi të vogël shumëngjyrëshe, “La Casita”, një simbol i shtëpive tradicionale portorikane. Brenda saj dhe përreth skenës u shfaqën yje si Pedro Pascal, Cardi B, Jessica Alba, Karol G, Young Miko, Alix Earle, Ronald Acuña Jr. dhe David Grutman, duke e kthyer shfaqjen në një festë të vërtetë yjesh.

Momenti më i papritur i natës ishte një martesë live në skenë. Një çift i vërtetë u martua gjatë performancës, fakt i konfirmuar nga PEOPLE. Nusja dhe dhëndri u panë duke u puthur pranë një torte, përpara se skena të hapej për hyrjen e Lady Gaga-s. Identiteti i çiftit nuk është bërë publik.

Repertori i Bad Bunny-t përfshinte hitet “Yo Perreo Sola”, “Voy a Llevarte Pa’ PR”, “NUEVAYoL”, “MONACO” dhe “DtMF”, si dhe fragmente nga këngë ikonike të muzikës latine si “Gasolina” (Daddy Yankee), “Dale Don Dale” (Don Omar) dhe “Pa’ Que Retozen” (Tego Calderón).

Performanca u pasurua edhe me detaje simbolike, si një shtyllë elektrike referencë ndaj ndërprerjeve të shpeshta të energjisë në Puerto Rico si dhe paraqitja e flamujve të vendeve të Amerikës. Në fund, një mesazh i fuqishëm u shfaq në ekranin gjigant të stadiumit:
“The only thing more powerful than hate is love” (E vetmja gjë më e fuqishme se urrejtja është dashuria).

Bad Bunny e mbylli shfaqjen duke thënë në spanjisht: “Ne jemi ende këtu”, dhe duke hedhur një top futbolli amerikan me mbishkrimin: “Together We Are America.”

Përpara performancës, artisti kishte deklaruar se publiku “duhet vetëm të kërcejë” dhe se nuk ishte e nevojshme të dinte spanjisht për të shijuar spektaklin. Dhe mesa duket, ai e mbajti premtimin, duke e kthyer Super Bowl 2026 në një festë kulturore, muzikore dhe emocionale që do të mbahet mend gjatë.