Agjencia hapësinore amerikane ka reaguar pas komenteve të Kim Kardashian mbi uljen historike të astronautëve në Hënë në vitin 1969. Në episodin e fundit të serialit të saj “Kardashians”, miliarderja 45-vjeçare shprehu dyshimet e saj, duke sugjeruar se misioni i NASA-s mund të ketë qenë i rreme.
Reagimi nga NASA nuk vonoi. Administratori në detyrë, Sean Duffy, u përgjigj publikisht në rrjetin social X, duke shkruar: “Po KimKardashian, ne kemi qenë në Hënë tashmë… 6 herë!”
Duffy theksoi gjithashtu sukseset e fundit të agjencisë dhe planet për të ardhmen: “Dhe akoma më mirë: @NASAArtemis po kthehet nën udhëheqjen e @POTUS. Ne fituam garën e fundit hapësinore dhe do ta fitojmë edhe këtë.”
Debati nisi kur Kim, duke xhiruar skena për serialin e ri dramatik të Ryan Murphy-t, “All’s Fair”, u shpreh skeptike ndaj vizitës së NASA-s në Hënë. Ajo gjithashtu ofroi disa “prova” që, sipas saj, mbështesin teorinë: “Pse valëvitet flamuri nëse nuk ka gravitet në Hënë? Këpucët në muze kanë një gjurmë të ndryshme nga ajo në foto. Dhe – pse nuk ka yje?”
Kim shtoi se nuk e shqetëson mendimi i të tjerëve dhe inkurajoi shikuesit që të hetojnë vetë në TikTok. Komenti i saj nxiti menjëherë reagime në media dhe rrjetet sociale, duke rikthyer në qendër të vëmendjes debatet për udhëtimet në Hënë dhe teoritë konspirative.
