Para nisjes së ceremonisë shtetërore të lamtumirës në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, në Pallatin e Kongreseve u mbajt një minutë heshtje në shenjë respekti për figurën e tij politike dhe njerëzore.
Në një moment prekës më pas, bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, mbajti fjalën e lamtumirës, duke e përshkruar këtë të dielë si “ditën më të errët e më të trishtuar të jetës”.
“Po ndahem me njeriun me të cilin kalova një çerek shekulli jetë, me të cilin më lidhën ëndrrat, shpresat dhe zhgënjimet e përbashkëta. Është një nga ato ditë që nuk do doja ta jetoja kurrë, e tillë është edhe për fëmijët tanë”, u shpreh ajo me zërin që i dridhej dhe lotët që mezi i mbante.
Xhoana Nano rrëfeu se tani e kupton më mirë arsyen pse ishte dashuruar me të, duke e lidhur ndjenjën me idealet dhe vizionin e tij për Shqipërinë.
“Unë, një vajzë fare e re, rashë në dashuri me Fatosin. Atëherë nuk e kuptoja pse, por tani e di. Kisha rënë në dashuri jo thjesht me njeriun, por edhe me vizionin e një Shqipërie ndryshe – një vend që duhej të largohej nga barbaria dhe primitivja”.
Në fjalën e saj, ajo nënvizoi se Nano ishte shumë më tepër se një figurë publike.
“Ai ishte i vërtetë, nuk merrte poza, nuk dinte të shtirej. Besonte te ajo që bënte, besonte me shpirt në vlerat evropiane”.
Në vijim të fjalës së saj, bashkëshortja e ish-kryeministrit shtoi se Nano ishte një njeri i ndershëm dhe thellësisht i lidhur me vendin e tij.
