KreuCelebrity

Milionat e tradhtisë: Gruaja e Andy Byron mund të përfitojë deri në 35 milionë dollarë pas ndarjes

Milionat e tradhtisë: Gruaja e Andy Byron mund të përfitojë
Megan Kerrigan, gruaja e CEO-së së dorëhequr të kompanisë “Astronomer”, Andy Byron, pritet të përfitojë një shumë marramendëse në rast se vendos të nisë procedurat e divorcit, pas skandalit të tradhtisë që ka pushtuar rrjetet sociale.

Në shtetin e Massachusetts-it, ku çifti është i martuar prej më shumë se shtatë vitesh dhe ka dy fëmijë së bashku, ligji i ndarjes së pasurisë kërkon që të gjitha të ardhurat dhe asetet e fituara gjatë martesës të ndahen në mënyrë të barabartë mes bashkëshortëve. Kjo do të thotë se Kerrigan mund të përfitojë deri në 50% të pasurisë së Byron, e cila vlerësohet të jetë mes 20 dhe 70 milionë dollarë – që përkthehet në një shumë potenciale prej 10 deri në 35 milionë dollarë.

Skandali shpërtheu kur një video nga koncerti i Coldplay u bë virale në rrjet, duke treguar Byron duke u puthur me Kristin Cabot, drejtoreshën e burimeve njerëzore në kompaninë e tij. Pas publikimit të pamjeve, Kerrigan reagoi menjëherë duke hequr mbiemrin e burrit nga rrjetet sociale dhe duke rikthyer atë të vajzërisë.

Ndërkohë, Byron dha dorëheqjen nga posti i tij si drejtor ekzekutiv, por përballja e tij me pasojat nuk mbaron këtu. Nëse mes çiftit nuk ka pasur një marrëveshje paraprake martesore, Kerrigan ka të drejtë të kërkojë një ndarje të barabartë të pasurisë – madje, nëse ekzistojnë klauzola për tradhti, ajo mund të kërkojë edhe dëmshpërblime shtesë.

Për sa i përket Kristin Cabot, ajo duket të ketë qenë në një marrëdhënie më të shkurtër dhe, ndryshe nga Kerrigan, nuk pritet të përballet me ndërlikime të mëdha financiare nëse divorcohet nga bashkëshorti i saj.

Megjithatë, sipas ekspertëve të marrëdhënieve familjare, humbësit më të mëdhenj në këtë histori janë fëmijët e çiftit Byron-Kerrigan, të cilët do të përballen me ndikime emocionale, turp publik dhe ndoshta nevojën për terapi.

Për momentin, nuk ka një konfirmim zyrtar mbi fillimin e procedurave të divorcit, por gjithçka tregon se pasojat e këtij skandali nuk do të ndalen vetëm me dorëheqje dhe fshirje mbiemrash në rrjete sociale.