Në një intervistë për “Pardon My French”, aktori i njohur shqiptar Nik Xhelilaj foli kryesisht mbi jetën e tij profesionale por dhe për atë personale. Si dhe foli mbi marrëdhënien që ai mbante me regjisorin e njohur i cili para pak ditësh u nda nga jeta, Piro Milkani.
I pyetur në lidhje me kontaktin e parë që krijoi me regjisorin, Xhelilaj u shpreh: Unë sapo kisha mbaruar vitin e parë në Akademi dhe siç kemi qenë të gjithë në atë moshë me ato dyshimet tona fillo një gjë dhe duke e lënë më pas. Nuk e di pse më ishte mbushur mendja që nuk isha për atë gjë dhe doja që ta lija akademinë.
Më tej tregon se si Piro Milkani erdhi, e takoi dhe i dorëzoi skenarin që ai ta lexonte për veprën që ai si regjisor donte të sillte. Kështu Xhelilaj me këtë iniciativë të regjisorit u bind se duhej të vazhdonte më tej një rrugë ku ai ndodhej në hapat e para të saj. E për këtë i erdhi në ndihmë i ndjeri Milkani.
“Ai kishte një ndjesi, unë sot e kuptoj që të zbulonte diçka tek ty. Ishte zbulues talentesh dhe insistuesh. Për të ishte filmi i fundit por për mua ishte hapja e një dere, një shans i cili vjen një herë në jetë” u shpreh Xhelilaj.
Ndërsa plot emocione dhe me fjalë zemre, aktori shtoi për regjisorin Milkani: Do të më mungojë shumë. Vitin e fundit nuk ishte shumë mirë fizikisht, telefonata kemi bërë. Një peng më ka ngelur, i thashë që do të vij që të të takoj dhe nuk erdha dot para një muaji. Besoj që ajo shtysa dhe motivimi që më jepte do të më mbesë gjithmonë. Do t’i jem falenderues gjithmonë.



















