
Këngëtarja legjendare Celine Dion ka zgjeruar turin e saj në Paris, duke njoftuar gjashtë data të reja koncertesh, pas kërkesës së jashtëzakonshme nga fansat për performancat e planifikuara në muajt shtator dhe tetor.
Datat e shtuara përfshijnë 18 dhe 25 shtatorin, si dhe 2, 9, 16 dhe 17 tetorin, duke e çuar në 16 numrin total të koncerteve në Paris La Défense Arena, një nga arenat më të mëdha në Evropë me kapacitet rreth 40 mijë spektatorë.
Interesi ka qenë i jashtëzakonshëm që në nisje, me para-shitjet që u hapën më 7 prill dhe që regjistruan mbi 9 milionë kërkesa, duke konfirmuar entuziazmin e madh për rikthimin e artistes në skenë.
Ky moment shënon një kthim të rëndësishëm për Dion, pas një periudhe të gjatë mungese të shkaktuar fillimisht nga pandemia dhe më pas nga problemet shëndetësore. Në vitin 2022, ajo bëri publike diagnozën me Stiff-person syndrome, një sëmundje e rrallë neurologjike që ndikon në lëvizjen e muskujve.
Përballja e saj me këtë sfidë u dokumentua edhe në filmin I Am: Celine Dion, i cili tregoi anën më personale të artistes gjatë kësaj periudhe.
Koncerti i fundit i Dion daton në pranverën e vitit 2020 në New York City, ndërsa rikthimi i saj në Paris konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore për fansat evropianë.
