Hailey Bieber po tregon se rruga drejt lëkurës perfekte nuk kalon domosdoshmërisht përmes Botox-it.
Në një intervistë të re në podcastin “In Your Dreams” me Owen Thiele, themeluesja e Rhode Beauty, 28 vjeç, foli hapur për kujdesin e saj ndaj bukurisë, për jetën me bashkëshortin Justin Bieber, dhe për mënyrën si e ruan natyralitetin e fytyrës së saj pa ndihmën e injeksioneve të njohura.
“Nuk kam asnjë Botox në fytyrë, përveç në nofull për shkak të TMJ (probleme me nyjen e nofullës),” pohoi Hailey.
“Kam bërë një premtim me veten që nuk do të vendosja Botox derisa të hyj në të 30-at. Kur të vijë koha, do shoh nëse dua apo jo.”
Modelja shtoi se frymëzimin për të qëndruar natyrale e merr nga nëna e saj, Kennya Baldwin, e cila është 57 vjeç dhe, sipas Hailey-t, “nuk ka bërë asnjëherë asnjë ndërhyrje kozmetike”.
“Mamaja ime nuk bën absolutisht asgjë për lëkurën dhe duket mahnitëse,” –tregoi ajo.
Natyrisht, si një biznesmene e bukurisë, Hailey është shumë e kujdesshme me rutinën e saj të përditshme. Përveç produkteve të markës së saj Rhode, ajo përdor edhe produkte nga Avène, EltaMD, BeautyStat, Naturium dhe Cosrx.
Megjithatë, ajo pranon se nuk është krejtësisht kundër trajtimeve me gjilpëra për sa kohë ato janë natyrale dhe të sigurta.
“Më pëlqen shumë PRP kur të marrin gjakun nga krahu dhe e përdorin për ta rikthyer në fytyrë përmes microneedling. Bëj edhe PRF (platelet-rich fibrin), ku gjaku shndërrohet në një xhel dhe injektohet poshtë syve ose te vijat e buzëqeshjes,” shpjegoi ajo.
Sipas Hailey-t, fakti që substanca vjen nga trupi i vet e bën trajtimin më të besueshëm:
“E bëj disa herë në vit dhe e dua sepse është natyral. Kam provuar edhe disa lazerë të lehtë, por kaq.”
Në një botë ku shumë figura publike fshehin ndërhyrjet kozmetike, Hailey Bieber preferon transparencën dhe kujdesin inteligjent për lëkurën me rezultate që, si gjithmonë, duken të ndritshme.
