
Një grua e akuzuar për të shtënat me armë zjarri pranë rezidencës së këngëtares së njohur Rihanna në Beverly Hills mund të përballet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtore.
Sipas autoriteteve, Ivvana Ortiz, 35 vjeç, është akuzuar me gjithsej 14 vepra penale, përfshirë një akuzë për tentativë vrasjeje. Në dokumentet zyrtare të siguruara nga revista People magazine thuhet se akti dyshohet të ketë qenë “i qëllimshëm dhe i paramenduar”.
Përveç kësaj, Ortiz përballet edhe me 10 akuza për sulm me armë zjarri gjysmëautomatike si dhe tre akuza të tjera për të shtëna drejt një banese apo zone të banuar.
Nëse gjykata e shpall fajtore për këto akuza, ajo mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Seanca e radhës gjyqësore për këtë çështje është planifikuar të mbahet më 25 mars.
Lidhur me incidentin ka reaguar edhe Prokurori i Qarkut të Los Angelesit, Nathan J. Hochman, i cili theksoi se të shtënat në zona të banuara përbëjnë një rrezik serioz për komunitetin.
“Hapja e zjarrit në një lagje të populluar është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe vë jetët e njerëzve në rrezik. Për fat të mirë, në këtë rast askush nuk u plagos, por akte të tilla dhune nuk do të tolerohen,” u shpreh ai.
Sipas raportimeve të Associated Press, Ortiz u paraqit në seancën gjyqësore e veshur me uniformë blu të të burgosurve dhe me flokët bjonde të kapura në gërsheta, ndërsa komunikoi me avokatin e saj përmes xhamit mbrojtës.
