Pas një periudhe të gjatë pauze nga jeta publike dhe rrjetet sociale, shkaktuar nga humbja e vëllait, këngëtari i njohur Gjesti rikthehet në skenë në mënyrë simbolike. Menaxhmenti i tij, Three60 Music, publikoi një imazh festiv për Krishtlindje, duke rikthyer prezencën e artistit mes fansave.
Në foto, Gjesti shfaqet me stilin e tij të njohur – xhins dhe atlete rozë i rrethuar nga dritat e pemës së Krishtlindjes. Ajo që bie në sy është përdorimi i Inteligjencës Artificiale për krijimin e imazhit, duke ruajtur prezencën e tij pa ekspozuar pamjen reale. Kjo tregon se artisti vazhdon të ruajë privatësinë në këtë periudhë të vështirë.
Fansat reaguan menjëherë, duke lënë mesazhe mbështetëse dhe emocionuese: “Na ka marrë malli shumë dhe i urojmë çdo të mirë,” shkruante një ndjekëse, ndërsa të tjerë shprehnin dashurinë e thellë për të: “Gjesti o shpirt, vdiqëm për ty.”
Megjithëse menaxhmenti nuk ka dhënë detaje për një rikthim fizik në skenë, kjo kartolinë virtuale shihet si një sinjal shprese. Fansat mbeten besnikë dhe të gatshëm ta presin artistin, duke i dërguar dashuri dhe mbështetje gjatë kësaj periudhe zie.
