Mbrëmjen e djeshme, TikTokerja Suada Muça është sulmuar në Tiranë, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik dhe rikthen vëmendjen mbi pasojat e konflikteve në rrjetet sociale.
Sipas burimeve jozyrtare, Muça dyshohet të jetë sulmuar nga disa vajza si akt hakmarrjeje. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit mbi identitetin e autorëve apo rrethanat e sakta të ngjarjes, ndërsa hetimet për këtë rast vazhdojnë.
Ngjarja lidhet me disa postime dhe deklarata fyese të publikuara më parë nga Suada Muça ndaj Xhemal Ukës, i njohur me nofkën “Fire”. Këto përplasje virtuale dyshohet se kanë qenë shkaku i përshkallëzimit të konflikteve në dhunë fizike.
Xhemal Uka është shpallur në kërkim nga autoritetet për një ngjarje të rëndë në zonën e Freskut, ku një 26-vjeçar u dhunua brutalisht me sende të forta. Sipas informacioneve zyrtare, Uka dyshohet se ka porositur këtë sulm. Autorët e dhunës u arrestuan, ndërsa Uka vijon të jetë në arrati. Hetimet për të zbardhur lidhjen e tij me sulmin ndaj Suada Muçës janë në vazhdim.
