KreuCelebrity

Debatet më të ashpra në ekranet shqiptare; nga Opinion tek Ylli Rakipi!

Debatet më të ashpra në ekranet shqiptare; nga Opinion tek Ylli

Duket se tashmë çdo ditë edhe më shumë thelbi i emisioneve, qoftë politike apo jo, nuk është më diskutimi i temave apo trajtimi i tyre, por një garë e fortë se kush tërheq më shumë vëmendje dhe audiencë.

Mbrëmjen e djeshme një nga debatet që tërhoqi vëmendje dhe u komentua gjerësisht në rrjet ishte ai mes Grida Dumës dhe Alfred Lelës, por situata të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në ekranet shqiptare.

Bordo ju sjell një listë nga debatet më të ashpra dhe më të komentuara që kanë ndodhur në studio televizive.

Një nga momentet më të bujshme ka qenë në emisionin “Opinion”, në majin e vitit 2013 ku pati një debat të fortë në studio mes të ndjerit Artan Lames dhe gazetarit Blendi Fevziu. Një “Pushoooooooo” e Fevziut bëri bujë në të gjitha mediat dhe mbetet edhe sot një nga momentet më virale.

Debati lindi si pasojë e kohës së diskutimit, që sipas Lames nuk ishte e barabartë me kundërshtarin e tij ne panel askohe, i ndjeri Sokol Olldashi. Kjo situatë tensionoi studion dhe detyroi Fevziun të reagojë ashpër, duke krijuar një moment që u shpërnda kudo në rrjet dhe kujtohet ende si një nga përplasjet më ikonike televizive.

Një tjetër episod i fortë është ai në studion e Ylli Rakipit, ku analisti Andi Bushati braktisi emisionin “Të Paekspozuarit”. Teksa po diskutohej mbi një çështje të ndjeshme, ndërhyrjet e vazhdueshme nga gazetarët Klodiana Lala dhe Ola Xama e irrituan Bushatin, i cili shpërtheu duke goditur tavolinën dhe duke u larguar nga studio.

“Me kor histerik nuk flas dot. Ik ore pirdhu ik...”, u shpreh ai mes tensionit, ndërsa drejtuesi i emisionit u detyrua të kalonte në publicitet për të qetësuar situatën. Ky moment u bë menjëherë viral duke krijuar meme pafund dhe u komentua gjerësisht në publik.

Po në “Opinion”, një tjetër përplasje e fortë ndodhi mes gazetarit Blendi Fevziu dhe kreut të partisë “Bashkë”, Arlind Qori në prag të zgjedhjeve të vitit të kaluar. Ky i fundit akuzoi publikisht emisionin për censurë, duke pretenduar se nuk ishte ftuar prej më shumë se një viti.

Debati u tensionua teksa Fevziu mohoi çdo akuzë të Qorrit dhe nisi të rendisë rastet kur figura të rëndësishme politike nuk kishin qenë pjesë e emisionit. Përplasja u shoqërua me tone të larta dhe ndërprerje të vazhdueshme, duke e kthyer në një nga debatet më të diskutuara të kohëve të fundit marrë shkas dhe nga përgjigja e ashpër e moderatorit.

Ndërsa një nga momentet më virale dhe të papritura së fundmi ishte përplasja fizike në studion e “Opinion”, gjatë një diskutimi për Gjykatën Speciale në Hagë dhe dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Analisti Berat Buzhala dhe Albatros Rexhaj u përfshinë në një debat të ashpër që degradoi deri në konfrontim fizik. Mes akuzave dhe toneve të larta, situata doli jashtë kontrollit kur Buzhala iu afrua Rexhajt dhe tentoi ta godasë në studio, duke detyruar ndërhyrjen e menjëhershme të Blendi Fevziut.



Megjithatë, pas publicitetit, tensionet u ulën dhe dy të ftuarit u pajtuan, madje duke shtrënguar duart, një moment që u publikua më pas nga drejtuesi i emisionit.

Këto episode tregojnë qartë se debatet televizive në Shqipëri kanë marrë një tjetër drejtim, ku shpeshherë tensioni dhe përplasjet personale marrin më shumë vëmendje sesa vetë çështjet që diskutohen. Dhe me sa duket, kjo “luftë” për audiencë nuk pritet të ndalet së shpejti.